E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krokodil 2?

Nga Genc Mlloja

Genc MllojaZor se e ka harruar ndokush restorantin Au Crocodile ne Strasburg ku Komisioneri për Zgjërimin i Bashkimit Europian Stefan Fule sëbashku me krerët e dy grupeve më të mëdha të Parlamentit Europian, Joseph Daul, të Partisë Popullore Europiane, dhe Martin Schulz, të grupit Social Demokrat, arritën të ulin në një tavolinë kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe kreun e Partisë Socialiste Edi Rama.

Kjo ngjau më 19 maj 2010 kur udhëheqësit e Bashkimit Europian e ndjenin se duheshin zbutur gjakrat në Shqipëri në ata momente sepse kriza politike po merrte përmasa të rrezikshme; në atë kohë 22 deputetë socialistë ishin të ngujuar në një grevë urie përballë ndërtesës së qeverisë Berisha në Tiranë. Por 5 orë e ca bisedime dhe ecejaket e zyrtarëve të lartë të BE-së në Tiranë në atë kohë nuk arritën të paqtonin dy kundërshtarët kryesorë të skenës politike shqiptare, Sali Berishën dhe Edi Ramën. Megjithatë duhet kujtuar se grevistët e urisë dolën nga ngujimi dhe tendat e socialistëve u larguan nga bulevardi kryesor i Tiranës.
Por acari politik nuk kishte mbarim: më 21 janar 2011 ndodhi  konflikti tjetër, këtë rradhë i përgjakshëm, te ciles i trembeshin te gjithë, përfshi aleatët strategjikë, SHBA dhe BE; mbetën të vrarë katër vetë në protestën e organizuar nga PS në Tiranë synimi i të cilës ishte të shrrënjoste korrupsionin e qeverisë Berisha.

Në takimin që tashmë njihet si Tek Krokodili nuk ishte Z. Ilir Meta, se edhe pse partia e tij ishte forca e tretë më e madhe në vend, ai përfaqësohej në qeverinë Berisha. Forcë tjetër politike nuk i kishte kredencialet që ti shtohej dyshes Berisha-Rama, e cila mund të konsiderohej si një katalizator për të ndikuar në zhbllokimin e situatës.
Tani kemi një konfiguracion të ri në skenën politike shqiptare- që nga 1 prilli 2013 LSI iu bashkua PS duke krijuar aleancën e majtë të bashkuar. Në atë kohë, të paktën në qarqet e opinionit publik, u krijua përshtypja nga media se Z. Meta doli nga koalicioni pa mbaruar mandatin qeverisës duke i vënë si kusht PS-së për krijimin e frontit të përbashkët anti-Berisha votimin e tre ligjeve, që do të hapnin rrugën për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Shpejt kreu socialist Edi Rama u deklarua se nuk kishte kusht të tillë dhe koha e provoi se deri tani kur edhe parlamentit të tanishëm po i mbaron legjitimiteti ato ligje kanë mbetur pezull duke krijuar një kapitull tjetër të kapriciove të politikës shqiptare.

Por kur Brukseli duket tashmë i disgustuar, me thënë të paktën, nga kokëfortësia e politikanëve shqiptarë, të cilët jo restoranti Krokodil, por as edhe vetë Baronesha Catherine Ashton para pak javësh kur ishte në Tiranë nuk arritën ti fusin në rrugën e gjetjes së një kompromisi, më 9 maj 2013, në Ditën  e Europës, kreu i LSI, Ilir meta, tani në opozitën e bashkuar me PS, bëri publik në formë ftese propozimin për një takim midis Berishës dhe Ramës.
Sot, në këtë ditë të rëndësishme, në Ditën e Evropës gjej rastin të ftoj edhe një herë kryetarin e Partisë Demokratike, në mënyrë të veçantë, z. Berisha, kryetarin e Partisë Socialiste, z. Rama dhe kolegë të tjerë që të takohemi, të shkëputemi 5 minuta nga fushata elektorale, deklaroi Z. Meta, i cili ishte konkret duke sugjeruar edhe ditën edhe orën pra këtë të enjte në ora 10:00 paradreke. Tema, sipas tij, bashkërendimi i qëndrimeve për miratimin e tre ligjeve në mënyrë që, sikurse deklaroi ai, ti përgjigjemi edhe kësaj kërkese të vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë me seriozitet dhe përgjegjshmëri dhe duke hequr dorë nga shkëmbimet e tepërta të akuzave të cilat nuk prodhojnë progres në drejtim të marrjes së statusit të vendit kandidat.

Duket se ftesa e Z. Meta është pranuar nga Z. Rama se në fund të fundit aleatët e tanishëm të majtë janë dakord për një gjë:  miratimin e tre ligjeve brenda mandatit të Parlamentit ekzistues, por me të vetmin ndryshim që ata të hyjnë në fuqi pas konstituimit të Parlamentin të ri, që do të dal nga zgjedhjet e 23 qershorit, pra në muajin shtator të këtij viti.
Deri tani nuk ka asnjë përgjigje nga Z. Berisha edhe pse oferta po përsëritet dhe madje ka krijuar një zhgënjim tek Z. Meta kur ky i fundit iu drejtua nga Shkodra, e njohur si bastion i Partisë Demokratike, se Berisha po e zhgënjente, se nuk duhej të mbante peng tre ligjet, të harronte interesat e ngushta personale dhe të mendonte për interesat e shqiptarëve. Integrimi u takon të gjithë shqiptarëve, deklaroi Z. Meta në Shkodër më 10 maj.

Po a do të kemi një Krokodil 2 në Tiranë apo diku tjetër në Shqipëri, le të themi në Vlorë ose në Shkodër ku edhe janë parë të lëvizin më së shumti këto ditë krerët e politikës shqiptare? Nga e hëna, 13 maj, deri të enjten më 16 maj, ka mjaft kohë për të shpresuar. E nuk besoj që do të kishte ndonjë qejfmbetje nga Brukseli nëse krerët shqiptarë që u larguan nga restoranti Au Crocodile në Strasburg duke ruajtur pozicionet e tyre të luftës, do të gjenin një grimcë mirëkuptim në një Krokodil 2 të propozuar nga Z. Meta.
Por një pikëpyetje e madhe mbetet: A është Z. Berisha i predispozuar të pranojë një ndërmjetësim të ish-aleatit të tij, që nuk është pa kushte, të cilat Z. Rama, aleati i tanishëm i Z. Meta, i pranoi menjëherë me entuziazëm se në fakt atë propozim Z. Rama e kishte bërë në një intervistë në Televizionin Klan një natë më parë?

Dihet se Berisha dhe maxhoranca, madje edhe në kohën kur Z. Meta e LSI ishin në koalicionin qeverisës, kanë ngulur këmbë në miratimin e këtyre tre ligjeve, duke bërë përgjegjës Ramën dhe PS për bllokimin e statusit të vendit kandidat në BE të Shqipërisë duke mos i votuar ata. Grupi parlamentar i PS braktiste në mënyrë demonstrative sallën e parlamentit sa herë që përfshihej në rendin e ditës votimi i tre ligjeve.  Një vije të tillë sjellje iu bashkua edhe LSI pas 1 prillit, por më një ndryshim: kreu i saj ka vazhduar thirrjet për miratimin e 3 ligjeve, qëndrim që u shkallëzua me propozimin e javës së kaluar për një takim të mundshëm Berisha- Rama.

Në pritje të së enjtes nuk duhet harruar se edhe nëse do të ketë një Krokodil 2 tash ka më shumë gjëra se tre ligjet e shumë përfolura si kusht drejt marrjes së statusit të vendit kandidat në BE këtë vit. Shqipëria po shkon drejt 23 qershorit me një komision zgjedhor vetëm me katër anëtarë të maxhorancës, me një retorikë që acarohet për ditë e më tepër me plot sharje të pafund nga maxhoranca dhe opozita, që tani po përqëndrohen edhe nominalisht mbi kandidatët për deputetë të propozuar nga të dy palët.

Një urë midis z. Berisha dhe Z. Rama mbi këto ujra të turbullta në skenën politike shqiptare e ofruar në këto momente nga Z. Meta, partia e të cilit që në krijim është identifikuar me integrimin Euro-Atllantik të Shqipërisë, do të ishte e mirëpritur nga opinioni publik i brendshëm dhe i jashtëm. Asnjëherë nuk është humbje të bisedohet aq më tepër kur janë në rrezik interesat e mëdha strategjike të Shqipërisë, të qytetarëve të saj dhe të gjithë bashkatdhetarëve në rajon e më gjerë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›