Fratari, dinastia që u martirizua nga tri regjime

Dine Fratari duke folur për Panorama Foto: V. Sulaj
Flet Dine Fratari, pinjoll i familjes së njohur Fratari.
Atentati ndaj të arratisurit në SHBA me porosi të Sigurimit.
Dine Fratari, 70-vjeçari nga Mallakastra, pinjoll i fisit të njohur nga fshati me të njëjtin emër, e shfaq qysh në fillim krenarinë për të parët e vet, duke përmendur telegfarisht kontributet e tyre për pavarësi dhe prosperitet kombëtar. Në fakt, biografia e dinastisë Fratari, së paku dy shekujt e fundit, ka qenë e tillë, që u bën nder jo vetëm pasardhësve të vet. Veçanërisht prania dhe roli në momentet kyçe të historisë kombëtare shënjon kreshpat më të larta në trajektoren e jetëshkrimit të tyre.
Ndoshta për këtë arsye, Dine Fratari, trashëgimtar i dinastisë së shquar, e rendit në vend të parë emrin e gjyshit, Hajredinit, mikut të ngushtë të Ismail Qemalit dhe njërit prej firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë. Po kaq dinjitoz për të mbetet historia e të atit, Raufit, ish-majorit të Gardës Mbretërore, diplomuar në Modena të Italisë, rreshtuar ndër të parët në Lëvizjen Antifashiste dhe pjesëmarrës në Konferencën e Pezës e të Mukjes në krah të Abaz Kupit. Krenaria për paraardhësit dhe burrat e tjerë të fisit me të njëjtin emër te 70-vjeçari Fratari bashkëjeton me brengën për fundin e tyre, si viktima të hakmarrjes së Haxhi Qamilit, fashizmit dhe Sigurimit të Enver Hoxhës, vorbulla e së cilës e ka përfshirë edhe atë. Gjatë rrëfimit për Panorama, Fratari, njëherazi me historinë e paraardhësve, kujton odisenë e vuajtjeve pas arratisë së të atit dhe zyrtarizmit të këtij të fundit si armik i popullit…
Firmëtari i Pavarësisë

Busti i deshmorit te atdheut, hajdredin fratari ne oborrin e shkolles me te njejtin emer, ne fratar te mallakastres
Gjyshi i Dine Fratarit, Harjedini, të cilit i trashëgon emrin, është njëri nga protagonistët e aktit historik të shpalljes së Pavarësisë. Ai bëri emër e histori pas kthimit nga studimet në Stamboll, ku u diplomua në një nga shkollat e njohura për përgatitjen e kuadrove të administratës vendore. Në fillimet e veta ushtroi detyrën e nënprefektit të Pogradecit, me statusin e nëpunësit të lartë të Perandorisë Osmane. Përtej profilit zyrtar të administratës së kohës, krijoi lidhje të afërta me atdhetarë të njohur, të angazhuar në lëvizjen për të zgjuar vetëdijen kombëtare për shkëputjen nga Turqia. Më shumë se kaq, Fratari njihet si një nga krerët e lëvizjes antiosmane që operoi në të gjitha viset e Shqipërisë. Nga jetëshkrimi i gjyshit, Dine Fratari veçon pjesëmarrjen me propozim të Ismail Qemalit e Dervish Himës në Kuvendin e Junikut, më 20 maj 1912, bashkë me Abdyl Gjirokastritin(Bakiun) e Ismail Klosin, si përfaqësues të Shqipërisë së Jugut. Me frymën e atij kuvendi, shton pinjolli i familjes Fratari, më 23 korrik 1912, bashkë me krerët e tjerë të lëvizjes së Jugut zhvilluan Kuvendin e Sinjës. Angazhimet e mëtejme në frontin e lëvizjes antiosmane e bënë një figurë të njohur e për mbarë opinionin. Pikërisht për këto merita Hajredin Fratari u zgjodh delegat i nënprefekturës së Mallakastrës në tubimin historik të ngritjes së flamurit në Vlorë, ku u rreshtua me firmëtarët e tjerë të aktit të shpalljes së pavarësisë. Qeveria e pagëzuar në tubimin e Vlorës e caktoi nënprefekt të Skraparit. Gjatë kësaj kohe, Fratari u vu në krye të lëvizjes për të shtypur përpjekjet e xhonturqve dhe vasalëve të tyre për të rikthyer sundimin osman. Nga Skrapari u kthye në Mallakastër në fillimin e vitit 1914, kur Prefektura e Beratit u pushtua nga rebelët e Haxhi Qamilit, shpjegon nipi i Fratarit. Me rikthimin në vendlindje, Hajredin Fratari mbyllte kapitullin e shërbimit në administratën zyrtare, por jo atë në interes të çështjes kombëtare. I udhëhequr nga doktrina personale shqiptarët kanë gjuhën e nënës për të folur shqip, kanë zemrën e babës për të qëndruar si burrat dhe jetën e tyre që u duhet për atdheun, nuk u tërhoq për asnjë çast nga kauza e mikut të tij Ismail Qemalit, madje as përballë kërcënimeve nga më çnjerëzoret. Pikërisht në kulmin e këtij aksioni atdhetar, forcat e Haxhi Qamilit, që e ndiqnin këmba-këmbës, e arrestuan dhe e ekzekutuan pa gjyq bashkë me bashkëluftëtarët e tij Abdul Gjebrea (Gjirokastriti) e Ismail Kolosi. Homazhet e para në nderim të tyre, kujton nipi i Fratarit, u zhvilluan në vitin 1928, në ceremoninë përkujtimore të 10-vjetorit të pavarësisë, ku Monarkia i nderoi me titullin Dëshmor i Kombit. Pinjolli i familjes Fratari vlerëson si pjesë të çmuar të integritetit moral të gjyshit të tij, kontributet e spikatura të bashkëshortes, Sabiresë mbesës së poetit të shquar Naim Frashëri, që ishte diplomuar në shkollën Robert College, në Stamboll të Turqisë. Një biografi po kaq dinjitoze, sipas tij, pati edhe i biri, Rauf Fratari, që operoi në vitet e Monarkisë dhe ato të Luftës së Dytë Botërore…
Delegati i Pezës dhe Mukjes

Rauf Fratari me të shoqen, Ganimetin (1943)
Rauf Fratari ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Modenas në Itali. Gjatë Luftës shërbeu si agjutant i Abaz Kupit. Mori pjesë në Konferencën e Pezës dhe atë të Mukjes. Në nëntor të vitit 1944 u largua nga Shqipëria. Vdiq në rrethana misterioze në Nju Xhersi të SHBA-ve në vitin 1973. I biri i tij, Dinja, thotë se ishte shok fëmijërie i Mehmet Shehut. Bashkë kishin bërë shkollën fillore e unike (shtatëvjeçare). Po bashkë ndoqën studimet në Itali. Raufi në Modena e më vonë në Romë. Mehmeti në Napoli, në Akademinë e Nënoficerëve. Pas shkollimit në Itali, Mehmeti mori pjesë në luftën e Spanjës. Raufi u kthye ushtarak karriere në Shqipëri, në gardën e Zogut. E priti me revoltë pushtimin e vendit, duke djegur publikisht flamurin e fashizmit. E arrestuan, shton Dinja, por falë miqësisë me Fejzi Alizotin, fitoi lirinë. Refuzoi urdhrin për tu rreshtuar në formacionet e luftës italo-greke dhe e arrestuan sërish. Ishte përsëri Alizoti, miku i familjes, që e shpëtoi nga dënimi. Me të dalë nga burgu, kujton i biri, u kthye ne Mallakastër dhe u vu në krye të qëndresës kundër okupatorëve, duke krijuar çetën e parë antifashiste të zonës, të cilën e pagëzoi me emrin e të atit, Hajredin Fratari, e më vonë Çeta Plakë e Mallakastrës. Fratari pohon se në fillimet e veta ajo u drejtua nga Raufi dhe Mehmet Shehu, të cilët ndanin detyrën e komandantit dhe komisarit, por vetëm për pak kohë, pasi Shehu nuk pranoi frymën nacionaliste për një Shqipëri me Kosovën e Çamërinë. Ky moment, sipas Fratarit, shënoi divorcin përfundimtar midis dy ish-miqve të hershëm, të rritur e të shkolluar bashkë. Që këtej, shton ai, Rauf Fratari mbeti një nga armiqtë e betuar të tij dhe të regjimit. Shehu nuk rreshti asnjëherë në sulmet kundër ish-komandantit të çetës së Mallakastrës dhe delegatit të Konferencës së Pezës e të Mukjes.
Këshilltari i Abaz Kupit