"Presidenti", Edi Rama paralajmëron bllokimin e procesit. Dule mbështet kandidaturën e Nanos

Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule është takuar sot me kreun Partisë Socialiste Edi Rama
në vijim të takimeve, që ky i fundit po zhvillon për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Në përfundim të takimit kreu i PBDNJ-së deklaroi edhe njëherë mbështetjen e tij për kandidaturën e Fatos Nanos për këtë post. Ai tha se Nano i plotëson të gjitha kriteret me konsensus dhe do të ishte kandidatura dominonte në këto kushte. “Ne i qëndrojmë kandidaturës së Nanos. Do të jemi kontribues të bisedimeve konsensuale dhe do të jemi kundër çdo kandidature nga mazhoranca”- theksoi Dule.
Nga ana e tij kreu i PS-së pas takimit me Dulen theksoi rëndësinë që ka për vendin zgjidhja e presidentit dhe reforma zgjedhore.
“Jemi të shqetësuar, pasi koha po ikën, ne kemi detyrim t’i japim zgjidhje dy momenteve të rëndësishme. Na duhet një reformë zgjedhore e dakordësuar para 24 majit, në një zë më gjithë bashkësinë ndërkombëtare, ashtu sikur na duhet një president që të jetë mishërim i unitetit të kombit, në këtë periudhë kur shqiptarët duhet të shkojnë bashkë përpara”, tha ai, ndërsa akuzoi kryeministrin se duke bërë shurdhin kërkon një president për veten.