E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini: Beogradi dhe Prishtina pjesë e takimit të Sarajevës

Shefi i diplomacisë italiane, Franco Frattini, në vizitën që zhvilloi dje në Prishtinë u shpreh se ka marrë pëlqimin e Prishtinës dhe Beogradit për të marrë pjesë në takimin e lartë të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit perëndimor në fillim të muajit qershor në Sarajevë.

Ai tha se të dyja palët janë pajtuar me propozimin që në takim, pjesëmarrësit të përfaqësohen me emrat personal e jo me emrin e shtetit. Kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës nga ana e Beogradit ka bërë që deri tani takimet e tilla të jenë të pamundura. Po gjatë vizitës së djeshme në Prishtinë, Frattini ka shprehur mbështetjen që Italia i jep Kosovës në rrugën e integrimeve. Pavarësia e Kosovës është një fakt i pakthyeshëm dhe element kyç për stabilitetin në rajonin e Ballkanit perëndimor, iu drejtua ligjvënësve të Kosovës, Frattini, në Seancën Solemne të Kuvendit të Kosovës. Ndër të tjera Fratini tha se Italia gjendet në vijën e parë të frontit për të ndihmuar Kosovën në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe në rrugën e integrimit ndërkombëtar të shtetit të pavarur të Kosovës. Kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, i shprehu mirënjohjen  Italisë për mbështetjen e fuqishme dhënë Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit të saj. Kryediplomati i Italisë, Franko Frattini tha se prezenca e tij në Kosovë pas vizitës që i ka bërë Beogradit, ka për synim që të konfirmojë edhe një herë prioritetet e Italisë në rrugën e stabilitet politik në rajonin e Ballkanit perëndimor. "Që nga 17 shkurti Italia menjëherë e ka njohur  pavarësinë e Kosovës. Mund të them se pavarësia e Kosovës është një fakt i pakthyeshme dhe një element kyç për stabilitetin e rajonit të Ballkanit perëndimor. Do të ishte një arritje e madhe që të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropiane ta njohin pavarësinë e Kosovës, por ju premtojë se edhe mosnjohja nuk e pengon zhvillimin e Kosovës dhe as nuk e ndalon Kosovën të llogarisë në perspektivën e integrimeve të mirëfillta, u shpreh ai, për të shtuar se për Prishtinën rruga është e hapur por pak më e gjatë, sepse ka shumë detyra për të kryer. Ai theksoi se Komision Evropian duhet të hapë më shumë dialog për procesin e liberalizimit të vizave.

Last Updated on E Merkure, 28 Prill 2010 21:27

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›