Fratini: Miratimi i kërkesës së Shqipërisë në BE, brenda verës
Bashkimi Europian do të miratojë brenda kësaj vere aplikimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Lajmi bëhet publik nga mediat italiane Agencia di Stampa dhe Ansa, sipas të cilave, në një konferencë lidhur me proceset para-integruese ne BE të mbajtur në Trieste, shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini siguroi se maksimumi brenda kësaj vere do të aprovohet kërkesa e Shqipërisë. “Shqipëria nuk mund të presë”- ka deklaruar Fratini, duke shtuar se kërkesa e bërë nga qeveria shqiptare nuk duhet të qëndrojë e mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel. Sipas tij, vendet e Ballkanit nuk mund të përjashtohen nga procesi i madh i bashkimit. Frattini kërkoi gjithashtu edhe një samit të posacëm për integrimin e vendeve të Ballkanit, që pritet të mbahet në muajt e parë të vitit 2010. Ministri i jashtëm Italian theksoi se qëllimi kryesor i samitit, në të cilin do të jenë të pranishëm krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit, duhet të ketë si qëllim kryesor vendimin për hyrjen në bllokun 27-anëtarësh. Shqipëria dorëzoi aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian më 28 Prill të këtij viti.