E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha me vendime abuzive e korruptive në KRRTRSH

Ndërkohë që prej vitesh bën sikur u qan hallin banorëve të kryeqytetit për mungesë gjelbërimi, Sali Berisha ka bllokuar miratimin e Planit tonë të ri për Tiranën metropol dhe, me një tjetër të rënë të lapsit në KRRT-në e djeshme të Republikës, i grabit Tiranës së nesërme dhe fëmijëve të sotëm 75 hektarë gjelbërim të parashikuara në Planin e Ri Rregullues si mushkëria e re e kryeqytetit të Shqipërisë, duke mbushur me ndërtime të gjithë zonën kodrinore deri në buzë të Liqenit të Farkës e duke sakrifikuar edhe hektarë të tërë me ullinj përmes miratimit të një studimi të turpshëm.
Dje Sali Berisha vijoi shfaqjen e turpshme të abuzimit me pushtetin në KRRT-në e Republikës së Shqipërisë, duke vazhduar të shfaqë, ndoshta më hapur se asnjëherë më parë, karakterin e këtij pushteti që bashkon në mënyrën më të shëmtuar propagandën e shfrenuar, injorancën e vrazhdë dhe batakçillëkun e kudondodhur.
Sa për t’ju dhënë një pikë referimi për peshën shkatërruese të vendimeve të djeshme të Sali Berishës, duhet ta dini se e gjithë Tirana, brenda vijës së saj të verdhë është rreth 3.500 hektarë, ndërkohë që dje KRRT-ja e Republikës ka dhënë në një pikë të vetme të rendit të ditës, një detyrë projektimi për ndërtime në një zonë prej 2750 hektarësh. Thuajse e gjitha fond toke bujqësore me një sipërfaqe të ndërtuar sa 80% e qytetit të Tiranës, në një territor që përfshin Bashkinë Vorë dhe komunat e Bërxullit e të Prezës.
Ndërkohë që qysh në fund të vitit të shkuar Sali Berisha mban në sirtar Planin e ri për Tiranën, i cili parasheh edhe perspektivën e zhvillimit të Tiranës metropol përtej kufijve të sotëm të saj, dhe ndërkohë që qysh se nuk mbahet mend ky kryeministër jo vetëm thellësisht i paditur në çështje të zhvillimit urban, po edhe tërësisht i prirur ndaj vendimmarrjeve me bazë korruptive për territorin, akuzon në tym Bashkinë e Tiranës sa herë hap gojën, me një të rënë të lapsit vendos të ndërtojë në zonën e Vorës aq ndërtime sa çereku i gjithë Tiranës në mungesë të çdo studimi e në kundërshtim flagrant me çdo logjikë zhvillimi ekonomik e social të hapësirës Tiranë-Durrës.
Ndërkohë që prej vitesh bën sikur u qan hallin banorëve të kryeqytetit për mungesë gjelbërimi, Sali Berisha ka bllokuar miratimin e Planit tonë të ri për Tiranën metropol dhe, me një tjetër të rënë të lapsit në KRRT-në e djeshme të Republikës, i grabit Tiranës së nesërme dhe fëmijëve të sotëm 75 hektarë gjelbërim të parashikuara në Planin e Ri Rregullues si mushkëria e re e kryeqytetit të Shqipërisë, duke mbushur me ndërtime të gjithë zonën kodrinore deri në buzë të Liqenit të Farkës e duke sakrifikuar edhe hektarë të tërë me ullinj përmes miratimit të një studimi të turpshëm.
35 hektarë të tjera kodër e ullishtë, e gjitha fond toke bujqësore, kthehen në ndërtesa 5-7 kate në Fshatin Selitë, duke i shkuar deri në fund masakrës së rëndë që ka brejtur deri tani gjysmën e kodrave të Liqenit Artificial të Tiranës, megjithë kundërshtinë e vetë Ministrit të Bujqësisë e të Ushqimit. Nuk ka mbaruar.
Obskurantizmi urbanistik i Sali Berishës dhe oreksi i papërmbajtshëm i oborrit të tij për ta futur tërë pasurinë e përbashkët të shqiptarëve në thesin e vet, ka shpikur dje edhe konceptin e zhvillimit përgjatë rrugës, duke çelur kapitullin e ndërtimeve në një territor prej 234 hektarësh drejt Aeroportit Nënë Tereza.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›