Fratini: “Zgjedhjet të mbyllen me korrektësi dhe të krijohet qeveria e re”
ROMË - Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, ka bërë thirrje dje që procesi zgjedhor në Shqipëri të mbyllet me korrektësi dhe ka kërkuar krijimin sa më parë të qeverisë së re. Më tej, në deklaratën e tij, Fratini e ka vlerësuar të qetë ditën e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri dhe ka kërkuar që zgjedhjet të jenë korrekte deri në fund. Shefi i diplomacisë italiane tha se procesi ishte më i mirë se në të shkuarën, por ishin vënë re disa episode parregullsie. Fratini nxiti Shqipërinë të vazhdojë me reformat për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Dita e votimit ishte paqësore dhe në këtë mënyrë duhet të vazhdojë të përmbyllet dhe faza e fundit e numërimit të kutive të votimit. Pra ky proces duhet të përmbyllet i gjithi në mënyrë korrekte”, - është shprehur shefi i diplomacisë italiane. Ndër të tjera Fratini përgëzoi Shqipërinë për korrektësinë e zgjedhjeve, por vuri në dukje edhe disa episode parregullsie, ndonëse, sipas tij, pati përmirësim krahasuar me zgjedhjet e së kaluarës. Ministri i Jashtëm italian vijon deklaratën e tij duke nxitur forcat politike në Shqipëri që me një shpirt konstruktiv të mund të ndërtojnë një qeveri që do të ndjekë rrugën e reformave për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Fratini shprehet në mesazhin e tij se reformat janë shumë të rëndësishme për stabilitetin dhe progresin e vendit dhe të gjithë rajonit.
3 Korrik 2009