Frattini: Zgjedhjet në Shqipëri të ndershme dhe korrekte, sa më shpejt qeveria e re dhe të vazhdojnë reformat

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini, vlerësoi mesditën e djeshme zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri, si të ndershme dhe shprehu kënaqësinë për arritjet e këtij procesi elektoral.
Zyra e shtypit e Ministrit Frattini, komunikon se “Ministri i Punëve të Jashtme, Franco Frattini, duke folur për zhvillimet politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit, shpreh kënaqësinë e tij lidhur me ndershmërinë dhe korrektesën me të cilën u zhvillua procesi zgjedhor, dhe në veçanti për mënyrën paqësore në të cilën shqiptarët shkuan në kutitë e votimit si dhe vazhdimi i procesit, me shqyrtimin (numërimin) e votave”.
Duke cituar më tej Franco Frattinin, zyra e tij e shtypit evidentoi dhe faktin se “në vlerësimet paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë në vend, pavarësisht se u evidentuan disa incidente dhe parregullsi gjatë procesit zgjedhor, këtë radhë u shënua më shumë përparim konkret se më parë”.
Më tej, nënvizohet nga ministri Frattini, se “pritet që edhe faza përfundimtare e procesit zgjedhor të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe korrekte”.
Në mbyllje të vlerësimit të tij të posaçëm për zgjedhjet në Shqipëri, Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franco Frattini tha se “shpreson që forcat politike shqiptare, me një frymë konstruktive, të mundin sa më shpejt që të jetë e mundur të formojnë një qeveri të re për të vijuar reformat dhe rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë, e cila është e rëndësisë parësore për stabilitetin dhe përparimin e Shqipërisë në veçanti dhe rajonit në tërësi”.
...