E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frattini i shqetësuar për impaktin negativ të ndalimit të minareve

Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini është shprehur i shqetësuar mbi efektet që do të ketë në marrëdhëniet me botën arabe, vendimi i votuesve zviceranë mbi ndalimin e ndërtimit të minareve të xhamive. Votuesit zviceranë vendosën kundër ndërtimit të minareve të xhamive në një referendum të zhvilluar ditën e dielë, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë vendimin e qeverisë dhe parlamentit, të cilët kishin refuzuar iniciativën e krahut të djathtë. Ata e kishin cilësuar këtë iniciativë dhunim të kushtetutës së Zvicrës, lirisë së fesë dhe traditës së tolerancës fetare në vend. Gazetat italiane kishin në faqen e parë të tyre ditën e martë, vendimin e partive të ligës së veriut që mështesin iniciativën dhe bëjnë thirrje që kryqi të bëhet pjesë e flamurit italian. Por shumica e partive të tjera italiane, si dhe Vatikani kanë dalë kundër kësaj iniciative. "Referendumet janë fjala e popullit, kështu që duhet t'i respektojmë. Nësë populli shpreh opinionin e tij, ne duhet ta respektojmë gjithmonë", tha ish-zëvendës presidenti i Komisionit Europian të Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë Franco Frattini. "Unë besoj se thelbi i kësaj çështjeje ka dhënë një mesazh, i cili është perceptuar drejt ose gabim nga bota islamike, si një mesazh i mosbesimit dhe ndalimit të simboleve fetare islamike, sic jane minaret", shtoi ai. Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare, gazeta më e shitur në Zvicër "Blick", ka mbrojtur vendimin e referendumit. Sipas saj, minaret nuk pengojnë lirinë fetare dhe emigrantët duhet të përpiqen më shumë për integrimin në shoqërinë zvicerane. "Unë nuk besoj se ndalimi i minareve është një politikë produktive, por gjithësesi ky është opinioni im personal", përfundoi kryediplomati italian Frattini.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›