E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha dhe ministrat fushatë shpifjesh kundër opozitës

TIRANE- Partia Socialiste akuzoi sot kryeministrin Berisha se ka angazhuar ministra dhe deputetë në fushatë shpifjesh kundër opozitës.
Deputeti socialist Blendi Klosi i cilësoi si ushtarë zyrtarët që sipas tij Berisha ka rreshtuar cdo ditë duke lënë tërësisht pas dore shqetësimet e shqiptarëve.

Sipas Klosit, Shqipëria qeveriset nga një person që nuk është mandatuar nga shumica e shqiptarëve.

“Ky njeri po përpiqet sot të mbajë me çdo kusht një pushtet, kundër vullnetit të popullit të tij. Në kohën kur qeveritë e gjithë botës prodhojnë politika për të lehtësuar impaktin e krizës mbi qytetarët, Sali Berisha, si i fundit komunist i mbetur në pushtet në Evropë, kërkon të mbulojë krizën përmes shpifjes”, theksoi Klosi.
Partia Socialiste shprehet e bindur se zgjidhja e vetme e situatës së krizës në vend është hapja e kutive të votimit.

“Duke mos i hapur kutitë Sali Berisha thellon krizën dhe qeveria e tij bëhet gjithmonë e më ilegjitime, për pasojë bizneset e vogla e të mëdha do të vazhdojnë të vuajnë presionin e qeverisë, familjet do të vazhdojnë të vuajnë rritjen e çmimeve të ushqimit, pensionistët rritjen e çmimit të energjisë, të sëmurët mungesën e përkujdesjes shëndetësore” u shpreh Klosi përpara gazetarëve.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›