E Martë, 3 Nëntor 2026

Fredi Beleri kërkon lirimin me kusht, avokati: Rama ka frikë prej tij, e do në burg

Në gjykatën e Fierit është paraqitur mëngjesin e sotme Fredi Beleri i cili kërkon lirimin me kusht teksa ndodhet në qeli për blerjen e votave në zgjedhjet vendore të 14 majit për bashkinë e Himarës.

Nisur nga dy seancat e mëparshme që dështuan për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, sot Beleri është paraqitur në gjykatë ku kërkon lirimin me kusht. Por sipas avokatit të tij Eugen Gjyzari, është kryeministri Rama ai kërkon ta mbajë në burg.

Sipas Gjyzarit, kryeministrit i trembet Belerit, pasi i hap telashe me zgjedhjet pasi sipas tij, “i fiton ato sërish”.

“Siç është e qartë me juristë burgjesh, me drejtorë burgjesh e mbajnë brenda në burg. Duan ta mbajnë në burg. Burgjet janë në varësi të kryeministrit. Ka thënë kryeministri që mos të dalë. Nuk e lejon ai pa e bërë burgun se ka frikë për zgjedhjet, se i fiton zgjedhjet sërish”, tha Gjyzari.  

Seanca e radhës ndaj   Fredi Beleri do të zhvillohet më 2 shtator të këtij viti.

Në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian, Fredi Beleri fitoi mandatin e eurodeputetit ku do të përfaqësojë Greqinë në PE. Ai u betua si eurodeputet në Strasburg pasi mori leje për 5 ditë nga Drejtoria e Burgjeve për t’u rikthyer më pas në qeli për të vijuar vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit, pasi akuzohet për blerjen e votave në zonën e Himarës në zgjedhjet vendore të 14 majit, 2023.

Ndërkaq, Himara po shkon drejt zgjedhjeve për kryetarin e ri të bashkisë ku midis tyre janë kandidatët Vangjel Tavo i Partisë Socialiste (më parë ish-zyrtar i LSI-së) ndërsa Partia Demokratike garon me Petro Gjikurian, në një përpjekje të dytë për të fituar këtë bashki.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›