E Enjte, 5 Nëntor 2026

Fredi Rinkon, protagonist i Kolumbisë “së artë”

Fred Rinkon, një nga lojtarët më të spikatur të brezit të artë të Kolumbisë në Botërorin e 1990-ës në Itali, ka humbur jetën në moshën 55-vjeçare, pas një aksidenti automobilistik. Karriera e pasur e tij u shtri në më tepër se 10 klubet dhe ai ishte kapiteni i asaj përfaqësueseje ikonë të Kolumbisë në “Italia ‘90”. Ai do të mbahet mend më tepër për golin e tij në Botërorin talian, kur shënoi në minutën e fundit përballë ish-Gjermanisë Perëndimore, teksa Kolumbia i kishte dhënë fund pritjes së saj 28-vjeçare për shkuar në Botëror, duke arritur edhe kualifikimin historik për në turin e 16-shes. Rinkoni ka luajtur ndër të tjera edhe për Realin e  Madridit, Napolin dhe Korinthians.

Në fakt, ish-kapiteni i Kolumbisë humbi jetën në spital të mërkurën, pas plagëve të marra në një aksident automobilistik gjatë natës së të hënës. Ish-mesfushori i Realit të Madridit po ngiste një makinë kur u godit nga  një autobus në një kryqëzim në qytetin e Kalit në Kolumbi. Fredi Rinkon e veshi 84 herë fanellën e përfaqësueses së Kolumbisë, duke shënuar 18 gola dhe duke e përfaqësuar vendin e tij në 3 Botërorë radhazi, në 1990-ën, 1994-ën dhe 1998-ën.

Rinkoni shënoi një nga golat ikonë të historisë së Kampionateve Botërorë në “Italia 90”, duke finalizuar me sukses një kundërsulm të rrjedhshëm përballë Ish-Republikës Federale të Gjermanisë, duke siguruar barazimin 1-1 në minutën e fundit dhe duke e kualifikuar Kolumbinë përtej fazës së grupeve, vetëm 60 sekonda pasi Pjer Litbarski i kishte kaluar kampionët eventualë të botës në epërsi.

Ai spikati me lojën e tij në Evropë për Napolin dhe Realin e Madridit, ndërsa e udhëhoqi skuadrën braziliane të Korinthiansit drejt triumfit në Botërorin e parë të Klubeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›