Shqipëria mirëpret Europianin e Mundjes U17

Shqipëria do të jetë organizatore e Kampionatit Europian të Mundjes për moshën deri në 17 vjeç, që në qershorin e 2023-it do të zhvillohet në sallën olimpike “Feti Borova”. E gjithçka është e konfirmuar edhe për shkak të vizitës së presidentit të Federatës Botërore të Mundjes, Nenad Laloviç, si dhe të presidentit të Federatës Europiane të Mundjes, Karl-Martin Ditman, që është njëkohësisht anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Mundjes. Pjesë e delegacionit ndërkombëtar ishte dhe presidentit i Federatës së Mundjes së Serbisë, Zhelko Trajkoviç, anëtar i Këshillit Europian të Unionit Botëror të Mundjes, si dhe Betim Vrenozi, edhe ky anëtar i Këshillit Europian të Unionit të Mundjes.
Të shoqëruar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes ata janë pritur nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, që ka siguruar përkrahjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për zhvillimin e Europianit të Mundjes për moshën deri në 17 vjeç në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe në bisedat me të parin e olimpizmit shqiptar, ndërkombëtarët e mundjes, mbi të gjitha Laloviç, janë shprehur të bindur se Shqipëria do ta organizojë në mënyrë të suksesshëm këtë Europian. Më pas ata janë ulur në takim në zyrën e Federatës Shqiptare të Mundjes me presidentin Sahit Prizreni dhe sekretarin e përgjithshëm Zyhdi Rama teksa kanë nisur që tani diskutimin e detajeve të zhvillimit të këtij Europiani.
Inspektimi i ndërkombëtarëve nuk përfundon me këto vizita, sepse në program do të kenë edhe një takim me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, si dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ajo që është e sigurtë dhe që nuk ka kthim pas, Europiani i mundjes për moshën deri në 17 vjeç në 2023-in në Tiranë.