E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Freedom House”: Media në Shqipëri, pjesërisht e lirë

Shqipëria renditet si një vend pjesërisht i lirë për sa i përket lirisë së mediave. Ky është konkluzioni që jep raporti i përvitshëm i “Freedom House” për vitin 20011, organizatë ndërkombëtare, e cila raporton edhe për liritë politike dhe civile në një vend. Në lidhje me lirinë e mediave, Shqipëria arrin të pozicionohet në vendin e 102-të.
 

Raporti i “Freedom House” vlerëson me 0 deri në 30 pikë vendet ku mediat janë të lira, me 31-60 pikë vendet me media pjesërisht të lirë, ndërsa nga 61-100 pikë radhiten ato vende të cilat mediat nuk janë të lira.
 

Gjithashtu “Freedom House” e ka vlerësuar lirinë e mediave në Kosovë si pjesërisht të lirë, duke e vlerësuar me notën 51, nga 53 që Kosova kishte marrë vitin e kaluar. Në raportin e fundit të Freedom House për lirinë e mediave, situata në Kosovë është më e rëndë se ajo në vendet e rajonit.
 

Ndërkohë në raport Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë marrë notën 48, Mali i Zi 37 dhe Serbia 33.Në raportin e “Freedom House” Serbia radhitet në vendin e 72-të, Mali i Zi në vendin e 80-të, Kroacia 85, Bosnjë e Hercegovina 96, Maqedonia 96, kurse Kosova vendin 104 e ndan së bashku me Argjentinën.

Ndërkohë raporti konstaton se liria e mediave në botë ka rënë në nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit, ku vetëm një në gjashtë persona në botë jeton në një shtet që ka media të lirë e të pavarur.

Sipas raportit vendet ku është shënuar rënie më e ndjeshme e lirisë së shtypit janë Egjipti, Turqia dhe Ukraina.

Dhjetë shtetet me shkallën më të ulët të lirisë së medies janë Bellarusia, Turkmenistani, Uzbekistani, Irani, Birmania, Kuba, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Libia dhe Korea e Veriut. Në këto vende mediat e pavaruara nuk ekzistojnë dhe shtypi është vetëm zëdhënës i regjimit.
 

Javën e ardhshme në Uashington, Kombet e Bashkuara do të shënojnë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Ngjarja e këtij vit ndodh ndërkohë që mediat shoqërore, telefonat celularë dhe interneti po luajnë një rol gjithmonë e më të madh për të mundësuar shprehjen e lirë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›