Freedom House: Shqipëria, pjesërisht e lirë, ka vrarë demonstrues dhe nuk ka gjykuar paanshmërisht Ilir Metën!

Freedom House ka publikuar raportin për përcaktimin e indeksit të lirisë në disa vende të botës. Sipas këtij raporti rezulton se vendi ynë është pjesërisht i lirë. Në raport thuhet se Shqipëria është pjesërisht e lirë dhe shkak për këtë janë vrasjet e protestuesve me 21 janar të 2011 dhe se nuk ka dënuar Ilir Metën për korrupsion.
Shqipëria ka pësuar ulje për shkak të vrasjes së protestuesve të opozitës në muajin janar, politizimit të mekanizmave zgjedhorë lidhur me zgjedhjet komunale në maj, si dhe për shkak të dështimit të gjykatave për të gjykuar paanshmërisht një çështje korrupsioni kundër një politikani të lartë qeveritar, thuhet për Shqipërinë në këtë raport.
Grupi për përparimin e demokracisë në botë, me bazë në Washington të SHBA-së ka arritur në konkluzionin se në pjesën më të madhe të Evropës lindore njerëzit jetojnë në regjimin e qeverive shtypëse.
Përfundimi doli në raportin e fundit të grupit Freedom in the world, një indeks ky që ka njohur publikimin e parë që në vitin 1972 dhe që mat aftësinë e qytetarëve të ndryshëm në vende të ndryshme të botës për të shprehur lirit e tyre sociale dhe civile, të drejtat qytetare në 195 vende dhe 14 territore.
Në vitin 2011, 87 vende u përkufizuan si të lira nga indeksi, e njëjta shifër si në vitin 2010 e cila përfaqëson dhe 40% të popullsisë së botës.