Berisha largohet nga Tirana më 21 janar, do të jetë në Lushnjë
Kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë në Tiranë në datën 21 janar, por do të jetë në qytetin e Lushnjes, për të marrë pjesë në ceremonitë e festimeve që organizon bashkia e këtij qyteti, në kuadër të 92 vjetorit të Kongresit të Lushnjes.
Lajmi konfirmohet për shqiptarja.com nga vetë kryetari i bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe. Që prej një jave në qytetin e Lushnjes kanë nisur shumë organizime, sidomos me nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në qytet, por edhe aktivitete të tjera kulturore.
Lajmi për vizitën e kryeministrit Sali Berisha në qytetin e Lushnjes konfirmohet edhe nga zyra e shtypit në Këshillin e Ministrave. Por si rrallë ndonjëherë më parë, interesimi i kryeministrit për të qenë në Lushnje në 21 janar, ka nisur që në ditët e para të këtij viti, ende pa u zbehur entuziazmi i festave të fundvitit. Ndërkohë në Tiranë, opozita do të ketë homazhe për 1 vjetorin e vrasjes së katër protestuesve, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.