E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm e djathta mund të krijojë vende pune

19-11-2011 / Gazeta 55

Gjatë një interviste mediatike, kandidati spanjoll për Kryeministër, Mariano Rajoy flet për ambicien e krijimit të një qeverie të qendrës, për të gjithë spanjollët, por s’harron të vërë pikën mbi “i” se “vetëm e Djathta mund të krijojë vende të reja pune”

Këtë herë Mariano Rajoy është akoma më i fortë. Ai e di se të dielën mund të fitojë. Socialistët janë mbrapa dhe janë gati të padukshëm. Pesëmbëdhjetë pikë avantazh, shtatëmbëdhjetë për optimistët. Jashtë ndodhet shkretëtira e kuqe e lënë nga Zapatero. Mbeten rrënojat e një mrekullie të thërrmuar në mijëra copa. Periudha e Zapateros ka mbaruar dhe jashtë sheh homoseksualë që nxitojnë të martohen përpara se gjërat të ndryshojnë. Rënia e Bambit ka marrë me vetë gjithë të majtën, ëndrrat, utopitë.
Tani e ka radhën ai. Mariano lëviz me shpejtësi, ngelen dhe pak ditë nga votimi. “Ditët e fundit janë edhe më intensive”. Jashtë ndodhet stafi i tij që e pret, duhet nisur për tubimet e fundit elektorale, ka gazetarë që presin për një intervistë. Sfida e Rajoy-t mbetet për t’u parë. E diela po afrohet dhe duhet kohë për të bindur të pavendosurit, për t’i ndryshuar mendim të gjithë të zemëruarve që kanë kërcënuar për kartë të bardhë. “E imja do jetë një qeveri e qendrës. Ky është një premtim. Do të qeverisim për të gjithë me modelim e dialog”. Ai duhet të jetë bindës e të heqë nga vetja atë përshkrim që i kanë bërë kundërshtarët. Ai, që ka humbur dy herë kundër Zapateros.

Analistët që parashikojnë fitoren e tij thonë se nuk është e djathta që fiton, por e majta që humbet. Ju si përgjigjeni?
“Gjykoni ju nga të dhënat. Kur Pp erdhi në qeveri në vitin 1996, pas 14 vjet qeveri socialiste, në Spanjë kishte një papunësi prej 23% dhe nuk kishte para për të paguar pensionet. Në tetë vitet e qeverisë sonë, midis viteve 1996 dhe 2004 kemi krijuar pesë milionë vende pune dhe pensionet janë rivlerësuar vit pas viti. Sot, historia po përsëritet. Pothuajse pas tetë vjet qeverisje të Zapateros, papunësia e kalon 22 %, ka pesë milionë të papunë, pensione të ngrira e rroga më të ulëta si dhe borxhe prej 15 mijë milionë eurosh në shëndetin publik”.
Po krizën globale nuk e llogarisni?
“Po, sigurisht, unë nuk po them se kam shkopin magjik, por ndryshe nga socialistët, dimë si të krijojmë vende pune. Ky është ndryshimi i madh. Ne do të vëmë në lëvizje një reformë të plotë së tregut të punës që mund t’i përgjigjet në mënyrë efikase dramës më të keqe sociale së kohërave të fundit: pesë milionë të papunë”.
Çfarë do të ndryshojë në krahasim me qeverinë Zapatero?
“Ndryshe nga ata, ne do të krijojmë një qeveri dialogu, të moderuar për të gjithë, me përgjegjësi dhe kriter”.
Cilin ligj të Zapateros do t’ju pëlqente të ndryshonit?
“Atë mbi abortin. Do të ndryshoja të drejtën e abortimit të fëmijëve pa lajmëruar prindërit e tyre. Po, këtë pjesë të ligjit do ta ndryshoja”.
Sakrifica apo rritje? Cila do të jetë receta juaj për Spanjën?
“Receta ime është sigurisht kthimi në rrugën e rritjes ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës. Objektivi im i madh është ky: krijimi i vendeve të punës, sepse nuk është e mundur që një vend i madh si Spanja të ketë pesë milionë të papunë e një papunësi të rinjsh që prek 50 %. Fjala kyçe është besimi. Për këtë arsye duhet të aprovojmë menjëherë ligjin e stabilitetit dhe të rindërtojmë sistemin financiar”.
Po sakrificat?
“Sigurisht, për të dalë nga kriza, duhet të përgatitemi për një periudhë të ashpër. Shkurtimet do të jenë të nevojshme pothuajse në gjithçka. Eliminimi i institucioneve të ndryshme në nivel rajonal, më pak vepra publike në mënyrë që t’i jepet prioritet atyre në kantier, por nuk do të ketë shkurtime tek pensionet. Fuqia blerëse nuk duhet prekur”.
Çfarë të ardhme parashikoni për Spanjën?
“Jam optimist. Na thërrisnin ata të mrekullive dhe unë isha atje. Me qeverinë e partisë popullore në Europë na shihnin me admirim. Unë e di se si na trajtonin: me respekt. Në vendin tonë, krijohej pjesa më e madhe e punës që krijohej në Europë. Ishte një moment i madh për vendin dhe kjo ka ndodhur vetëm pak vite më parë. Sot, është sfida ime. Do t’i tregojmë edhe një herë botës se kush jemi, se si janë gatuar spanjollët. Do të jemi përsëri të mëdhenj, por këtë herë mos na quani me fat”.
Marrë nga Il Giornale

Mbi zgjedhjet në Spanjë

Nesër, Spanja voton për zgjedhjet politike. Votohet pas dorëheqjes korrikun e kaluar të kryeministrit Jose Luis Zapatero. Dy sfiduesit kryesorë janë Alfredo Perez Rubalcaba i partisë socialiste dhe Mariano Rajoy i partisë popullore. Të gjithë sondazhet e tregojnë të djathtën e Rajoy-t në krye me 45.4% të votave.
Kush është Mariano Rajoy? – Lider i partisë popullore, 56 vjeç, galician, ka qenë disa herë ministër dhe ka qenë kandidat për zgjedhjet politike në vitin 2004 dhe në 2008, në të dy rastet u mund nga Zapatero. Si një traditë katolike konservatore, nuk ka bërë të qartë gjatë fushatës pozicionin e tij mbi martesat homoseksuale, të futura në Spanjë nga qeveria Zapatero pas shumë mosmarrëveshjeve. Partia e tij kishte votuar kundër në vitin 2005 dhe u paraqit menjëherë pas një apeli në Gjykatën Kushtetuese.
Kush është Alfredo Perez Rubalcaba? - Ish profesor kimie në Universitetin Complutense të Madridit, 60 vjeç, është një politikan i partisë socialiste të punëtorëve spanjollë. Ka qenë ministër i Edukimit, ministër i Brendshëm dhe zëvendësministër i qeverisë spanjolle. Korrikun e kaluar ka lënë çdo detyrë ekzekutive për t’u marrë me fushatën zgjedhore.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›