Frenk Rajkard: Lorik, duhet të humbësh 5 kg!
Aventura e Lorik Canës, përveç të mirave, duket se ka edhe disa anë jopozitive të saj. Kjo edhe për faktin se trajneri holandez i Gallatasarait, Frenk Rajkard, i cili e pëlqen mënyrën e lojës së ish-lojtarit të Sandërlendit, ka vënë re se mesfushori shqiptar është pak mbi peshë. Për këtë arsye, sipas “Albaniasoccer”, që u referohet mediave turke, ish-trajneri i Barcelonës e ka thirrur blerjen e tij më të re dhe i ka këshilluar që të mundohet të humbasë 5 kilogramë, që t’i afrohet peshës ideale. Një mbipeshë e lehtë e tij ishte vënë re kohët e fundit kur luante në kampionatin anglez, si dhe në ndeshjen e fundit miqësore që ai zhvilloi me Kombëtaren shqiptare ndaj Malit te Zi, ku kuqezinjtë fituan 1-0. Gjithsesi, kjo nuk pritet të jetë problem për Canën, i cili në takimin miqësor të së mërkurës, të luajtur ndaj Fenerbahçes, tregoi një formë të mirë. Tashmë ylli i futbollit shqiptar mban mbi shpinë numrin 19 dhe brenda një kohe shumë të shkurtër ka mundur të fitojë vendin në formacionin e parë të Garallatasarait, ku duhet thënë se aktivizohen shumë futbollistë cilësorë.
#