Maikon: Reali është një ëndërr
Telenovela “Maikon te Reali i Madridit” duket se nuk ka ndërmend të përfundojë. Nga Brazili mbërrijnë deklaratat e kolosit brazilian, në një intervistë të dhënë për radio “Globo”, që ka shprehur hapur se dëshiron të transferohet te Reali i Madridit. “Dëshiroj të shkoj te Reali i Madridit. Për mua do të bëhej realitet një ëndërr. Murinjon e njoh, pasi e kam pasur trajner dhe ideja për të punuar sërish me të më pëlqen”. Por i gatshëm për të reaguar në mënyrë zyrtare ka qenë menaxheri i lojtarit, Antonio Laliendo, i cili në “Sky Sport 24” ka dashur të japë pak më shumë kënaqësi në këtë çështje: “Maikon mendon të qëndrojë tek Interi. Nëse do të vendoste të largohej, Reali i Madridit do të ishte skuadra ideale. Për shkak të respektit që kam me tifozët zikaltër, duhet të them se ai nuk ka kërkuar kurrë që të largohet nga skuadra. Interesimi i Realit është një nder, por ai ikën vetëm nëse Morati do të vendosë ta shesë. A kam pasur kontakte me Florentino Perezin? Nuk mund ta mohoj, unë u kam thënë atyre që Maikon nuk mund të konsiderohet si i dytë pas Kristiano Ronaldos dhe Kakasë. Ata nuk munden të më thonë mua se është një mbrojtës, pasi atëherë do të duhet të shikojnë se çfarë ka fituar. Nëse ata do ta respektonin Maikonin nën këtë aspekt, mundet edhe të rihapen diskutimet. A janë të vërtetë zërat për një kërkesë të lojtarit për një rrogë prej 7 milionë eurosh? Nuk kam folur kurrë për rrogën e një lojtari, janë vetëm zëra që vijnë nga Madridi”. Ndërkohë që në krahun tjetër Interi po interesohet për një tjetër lojtar. Sipas “Daily Mail”, mesfushori argjentinas Havier Maskerano i ka kërkuar zyrtarisht shitjen e tij trajnerit Roi Hodgson. Kapiteni i Argjentinës ka dëshirë t’i bashkohet projektit të ri të Interit, duke iu bashkuar kështu ish-trajnerit të tij, Rafa Benitez. Përfaqësuesit e Maskeranos janë takuar në Milano në ditët e kaluara me drejtuesit zikaltër, duke gjetur praktikisht një lloj para-marrëveshjeje. Në këtë pikë topi i kalon Interit, i cili do të duhet të flasë direkt me Liverpulin, që kërkon 30 milionë euro: 7 më shumë se sa ajo që kishte ndërmend të derdhte Morati. Por është e mundur që tratativa të mbyllet me sukses gjatë javës së ardhshme me futjen e kartonit të Muntarit në lojë, por edhe nga zyrtarizimi i shitjes së Balotelit. Në tratativa për të zgjatur kontratën është edhe Havier Zaneti. “Tratativat për zgjatjen e kontratës sime nuk janë komplikuar kurrë. Mjaftojnë dy apo tri takime dhe kurrë nuk ka pasur probleme. Klubi e njeh gatishmërinë time, e di se sa dëshirë ka Interi që ta vazhdojmë këtë lidhje. është e sigurt që nuk do të ketë asnjë problem gjatë tratativave”, thekson fort argjentinasi.
#