E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës, pranga policit të Doganës

Një efektiv i Policisë së Kufirit në Përmet dhe dy persona u arrestuan, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim


TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda arreston një polic dhe dy persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës.


Ndërkaq, një person tjetër është shpallur në kërkim, i dyshuar gjithashtu si i përfshirë në këtë linjë trafiku nga Shqipëria në Greqi. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë që pohuan arrestimin e të dyshuarve dy ditë më parë në kryeqytet dhe në Gjirokastër.


Ermir Tyto, efektiv Pikës së Kalimit Kufitar të Tri Urave në Përmet, Albert Vllaka, nga Leskoviku, dhe Niko Qendro, nga Përmeti, u arrestuan të mërkurën pasdite nga Policia e Shtetit, në bazë të urdhër arresteve të nxjerra nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj tyre. Prokuroria kishte nxjerrë katër urdhër arreste për këtë qëllim, ndërsa policia mundi të ekzekutonte vetëm tre të tillë, për shkak se një prej të kërkuarve nuk u gjet në banesë.


Të katër personat e arrestuar dhe i kërkuari akuzohen se në vitin 2008, kanë organizuar trafikimin e marijuanës nga Shqipqëria në drejtim të Greqisë. Në vitin 2009, policia ka sekuestruar në vijën kufitare të gjelbërt, një sasi prej 65 kg marijuanë e transportuar me automjete dhe më pas ajo pritej të transportohej me kafshë në drejtim të Greqisë. Në rrugë e sipër transportuesit janë diktuar nga policia, por kanë mundur të largohen.


Pas hetimeve të para Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka marrë në dorë hetimin, duke verifikuar të dhëna të ndryshme. Ndërkaq, ka kryer aktet e ekspertimit daktiloskopik në lidhje me gjurmët e gishtërinjve të gjetura në çantat e hashashit. Po kështu hetuesit kanë kryer edhe përgjimin e telefonave të të akuzuarve, si dhe veprime të tjera hetimore.


Pas disa muajsh hetim, Prokuroria ka mundur të identifikojë të dyshuarit të cilët ishin katër persona. Mes të dyshuarve të hetuesve ishte edhe polici Ermir Tyto, i pikës së kalimit të Tri Urave. Ky i fundit mësohet se i ka ndihmuar të akuzuarit e tjerë në kalimin e "mallit", duke mos iu nxjerrë atyre probleme.


Në të kundërt të tjerët kanë marrë përsipër kalimin e "mallit", drejt Greqisë. Burime të Policisë dhe të Prokruroisë së Krimeve të Rënda, pohuan dje se dyshohet se malli ishte prodhim Lazarati dhe cilësohej si tepër i shtrenjtë. Të katër personat akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, ndërsa mbi policin rëndon edhe akuza e shpërdorimit të detyrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›