Ashpërsohet konflikti në Tajlandë
Konflikti midis qeverisë tajlandeze dhe opozitarëve që kanë bllokuar aeroportin ndërkombëtar është ashpërsuar. Në kryeqytetin Bangkok, policia sulmoi me qindra forca të ndërhyrjes aeroportet ndërkombëtare të vendit, për t`i liruar ato nga kundërshtarët e qeverisë që demonstrojnë. Por këta kanë kundërshtuar, bëjnë të ditur për radion vendase dëshmitarë okularë. Udhëheqës të lëvizjes protestuese që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, refuzuan çdo ofertë të policisë për bisedime dhe paralajmëruan për rreziqet e një gjakderdhjeje nëse policia përdor dhunë. Demonstruesit kanë bllokuar përveç aeroporteve ndërkombëtare në Bangkok edhe ato të fluturimeve brenda vendit. Dhjetra mijëra turistë, janë bllokuar prej ditësh atje.