E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkruan historinë me Novaran

Samir Ujkani e Rijat Shala arritën sukses historik me Novarën, e cila u inkuadrua në Serie A pas 55 vjetësh. I pari pati merita të veçanta në këtë triumf të klubit italian, i cili brenda dy vjetësh u ngrit për dy kategori. Portieri kosovar ndihet i lumtur për këtë arritje, derisa duket i pavendosur rreth të ardhmes. Nga Express më 14 qershor 2011 në ora 11:54

Novara ka arritur rezultat historik, duke u kualifikuar në Serie A pas 55 vjetësh (nga sezoni 1955-56). Klubi italian arriti të bëhet pjesë e elitës së futbollit italian për një kohë rekorde. Novara vitin e kaluar u inkuadrua në Serie B nga Lega Pro (liga e tretë), ndërsa këtë vit ia doli ta mbërrijë majën në futbollin italian.

Merita të veçanta për këtë sukses të këtij klubi kanë edhe dy futbollistët kosovarë, Samir Ujkani dhe Rijat Shala. I pari ishte protagonist absolut, duke e ‘ruajtur’ me kujdes portën e ekipit të trajnerit Attilio Tesser.

“Jam mjaft i lumtur me këtë arritje tonën. Mezi pres të shkoj dhe të festoj me shokët e skuadrës”, ka thënë Ujkani pas fitores 2:0 ndaj Padovës në barazh, e cila ia mundësoi Novarës inkuadrimin në Serie A.

Ende pa filluar mirë sezoni, për portierin e Kombëtares shqiptare kanë filluar spekulimet rreth të ardhmes së tij. Kohëve të fundit flitet për një transferim të mundshëm të tij te Sampdoria, e cila sezonin e ardhshëm do të garojë në Serie B, por vushtrriasi nuk ka vendosur ende.

“Nuk di asgjë. Nëse dikush më kërkon, së pari duhet të flasë me klubin. Unë i takoj përgjysmë Novarës dhe Palermos”, vazhdoi Ujkani i cili para dy sezoneve debutoi në Serie A, në ndeshjen kundër Milanit.

Me shumë gjasë, Ujkani do të mbetet në Novara edhe sezonin e ardhshëm. Por, e njëjta gjë nuk vlen edhe për mesfushorin Rijat Shala, i cili mund të largohet nga ky klub.

Ujkani: Sensibile ma ndryshoi jetën

Samir Ujkani nuk i harron kurrë ata që e përkrahën dhe që e ndihmuan për të arritur deri këtu ku është sot. Portieri kosovar e ka falënderuar në veçanti ish drejtorin sportiv të Novaras, Pasquale Sensibile, i cili të hënën (dje) e mori të njëjtin post te Sampdoria.

“Më vjen keq që Sensibile u largua, por unë tash duhet ta vazhdoj rrugën time, duke punuar siç kam bërë gjithmonë. Atë e falënderoj pa masë, i kam borxh shumë. Ai ma ka ndryshuar jetën”, shtoi Ujkani.

Novara e mbylli sezonin në Serie B në pozitën e tretë, prapa Atalantas e Sienës, të cilat e siguruan Serinë A automatikisht. Novara ishte e suksesshme në barazh, ku së pari e eliminoi Regginën e më pas Padovën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›