Frika e alavitëve nga hakmarrja

Kur konflikti në Siri eskaloi në luftë qytetare, trysnia u shtua aq shumë, sa që të përndjekurit vendosën të veprojnë:”Ne, qytetarët, aktivistët dhe intelektualët nga radhët e sektit alavit në Homs dhe në rajonet bregdetare, dënojmë ashpër masakrat e kryera nga Baschar Al Assadi”, thuhet në deklaratën, me anë të së cilës nënshkruesit synuan të arrijnë vetëm një gjë: të distancohen sa më shumë që të jetë e mundur nga presidenti i Sirisë.
Sikur edhe nënshkruesit e deklaratës, të publikuar në internet, edhe Assad është pjesëtar i pakicës religjioze alavite. Ky fakt ka ndikuar që rreth 3 milionë alavitë, të cilët jetojnë në Siri, të shndërrohen në shënjestër të sulmeve hakmarrëse. Me anë të këtyre sulmeve, luftëtarët e rezistencës po hakmerren kundër dhunës, të ushtruar nga ana e regjimit në Damask.
Raporte të përpikta për përndjekjen e alavitëve nuk ka pothuajse fare: opozita në Siri duket se nuk po bën publike lajmet për sulmet kundër alavitëve. Fakti se alavitët u desh që të distancohen publikisht nga Assadi, duket se situata për ta në Siri po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme.
Rreth 12 për qind të sirianëve janë pjesëtarë të këtij sekti mjaft enigmatik: në njerën anë, ata e konsiderojnë Kuranin si librin e tyre të shenjtë, ndërsa në anën tjetër ata nuk e agjerojnë Ramazanin, por kremtojnë Krishtlindjet dhe besojnë në ringjallje. Alavitët e konsiderojnë sektin e tyre si një degë të shkëputur nga islami shiit.
Termi “alavit” ndërlidhet me adhuruesit e Alisë, kushëririn dhe dhëndrrin e Profetit Muhamed. Ai adhurohet edhe nga myslimanët shiitë.
Nuk ka me tepër të dhëna, se sa të dhënat sipërfaqësore të përmendura më lartë për këtë komunitet religjioz, pjesëtarët e së cilit jetojnë në Siri dhe Turqi.
Ngase vetëm ata që i takojnë familjes së një sheiku kanë të drejtë të mësojnë fshehtësitë e këtij sekti. Për qindra vjet me radhë, pjesëtarët e këtij komuniteti jetuan të izoluar në rajonet malore të Sirisë dhe në brigjet e Mesdheut, ku gjetën mbrojtje nga armiqtë e tyre.
Por izolimi, i cili ishte pjesë e strategjisë për mbijetimin e kësaj pakice religjioze, mori fund në vitin 1970. Në dimrin e atij viti, Hafis Al Assad, një alavit, me ndihmën e një puçi mori pushtetin në Damask. Që nga ai moment, pjesëtarët e këtij komuniteti konsideroheshin të privilegjuar.
Se në çfarë mase klani Assad-pas vdekjes së Hafisid pushtetin në vitin 2000 e mori përsipër i biri i tij, Baschari-ka përfshirë alavitët në strukturat qeverisëse, kjo mbetet e paqartë. Është dëshmuar se në radhët e ushtrisë dhe të shërbimeve të fshehta ka shumë oficerë alavitë. Për shumë sirianë për këtë arsye aparati i represionit në Damask ka një fytyrë alavite.
Pjesa më e madhe e sirianëve janë sunitë, rreth 75 për qind të 22 milionë banorëve të vendit. Për të siguruar mbështetjen e sunitëve, pas marrjes së pushtetit, Hafis Al Assad ndoqi një strategji të dyfishtë. Në njërën anë, ai kërkoi mbështetjen e klerikëve shiitë. Me Musa Al Sadrin, një nga kryesuesit e shiitëve në Liban, ai gjeti një imam të lartë, i cili me anë të një fatve konfirmoi se alavitët janë myslimanë. Kjo ishte tejet e domosdoshme për Assadin, pasi që kushtetuta e Sirisë kërkon që presidenti i vendit të jetë mysliman.
Në anën tjetër, Assad tentoi të kënaqë edhe sunitët, duke e injoruar besimin alavit, në vend se ta përparojë atë. Alavitët i nënshtrohen ligjit sunit, ushtrimi publik i praktikave alavite është i ndaluar dhe ata nuk kanë një kryesues religjioz.
Alavitët me qëndrim kritik ndaj regjimit ankohen se në njerën anë janë të shtypur nga regjimi, ndërsa në anën tjetër nga sirianët jo-alavitë urrehen, ngase shihen si komunitet, i cili ka përfituar nga regjimi.
Nëse kryengritja kundër Assadit dëshmohet e suksesshme, atëherë kjo mund të ketë pasoja të rënda edhe për alavitët. Vëzhguesit kanë frikë se nëse përmbyset regjimi në Damask, atëherë alavitët do të mund të dëboheshin nga rajonet në të cilat jetojnë. Nga mesi i janarit, shefi i shtabit i ushtrisë së Izraelit, Benny Gantz, theksoi se Jerusalemi duhet të llogaritë me një valë të refugjatëve përtej kufirit. Ai shtoi se Izraeli është i përgatitur që të pranoi alavitët e dëbuar nga Siria. (Der Spiegel)