E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fusnotat e komplikuara

Prishtina dhe Beogradi iu kthyen bisedimeve për bashkëpunimin rajonal në Bruksel, por gjatë ditës së parë nuk arritën të gjejnë një zgjidhje. Zyrtarë të BE’së pohojnë se janë optimistë për marrëveshjen, por kanë frikë se detajet dhe fusnotat mund të sjellin ndërlikime. Ajo që ra në sy të mërkurën në kryeqytetin europian ishte ikja e delegacionit kosovar nga gazetarët dhe një kravatë interesante e ndërmjetësit Robert Cooper.

Lehtësuesit europian në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë Robert Cooper mund t’i kenë shkuar ndërmend tingujt e muzikës kur ta ketë vendosur në qafë kravatën me një klarinetë.

Por, delegacionet e të dy vendeve nuk kanë dhënë edhe shumë arsye për të festuar të mërkurën në Bruksel, kur zhvilluan raundin e parë të bisedimeve për këtë vit.

Pavarësisht se zyrtarët e Bashkimit Europian kanë dërguar gjatë ditës mesazhe se takimi po mbahet në një atmosferë të mirë, bisedimet që kanë zgjatur deri në mbrëmje nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje.

Por në Bruksel janë shprehur optimistë se Prishtina dhe Beogradi mund të arrijnë të pajtohen për përfaqësimin rajonal të Kosovës.

“Atmosfera ka qenë e mirë. Është arritur progres, por ende mbesin disa detaje për të cilat duhet të merremi vesh. Takimi do të vazhdojë të enjten në orën 9 e 45”, ka thënë një zyrtar i BE’së në kushte anonimiteti për Express.

Sido që të jetë, në BE thonë se dakordimi i marrëveshjes eventuale nuk do të jetë i lehtë.

“Ne shpresojmë se do të ketë marrëveshje. Sido që të jetë, detajet dhe fusnotat mund të jenë më të ndërlikuara. Duhet të ketë marrëveshje për gjithçka”.

Dy palët kanë diskutuar rreth implementimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Pikëkalimeve Kufitare (IBM).

Sipas pamjeve që janë shfaqur në uebfaqen e Këshillit Europian, palët kanë filluar takimin me disponim të mirë.

Por kësaj here palët kanë ndërruar pozicionet në tryezën e negociatave.

“Sot i paskemi ndërruar anët”, ka thënë Stefanovic.

Minutat para fillimit të takimit, Zëvendëskryeministrja Tahiri i ka shfrytëzuar për t’ua uruar vitin e ri bashkëbiseduesve serbë.

Por dy delegacionet kanë hyrë në mënyrë të ndryshme në ndërtesën e BE’së.

Stefanovic ka folur për mediat, derisa delegacioni i Kosovës ka shfrytëzuar një derë alternative për t’iu shmangur atyre.

Stefanovic ndërkaq ka thënë se në lidhje me fusnotën për përfaqësimin e Kosovës në nismat ndërkombëtare, po përqafohet propozimi i Serbisë.

“Zgjidhja për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale do të jetë duke marrë parasysh Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 12 44 dhe Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Stefanovic.

Por ai ka hedhur poshtë mundësinë, që të përmendet edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.

“Nëse nuk ka marrëveshje, të gjithë do të humbin, duke përfshirë Prishtinën”, ka shtuar ai.

Tashmë dihet se Beogradi zyrtar ka kërkuar që Kosova të përfaqësohet me fusnotën, e cila përmban Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi ndërkaq ditë më parë kishte thënë publikisht se Prishtina do të pajtohej që në fusnotë të ketë Rezolutën 1244 të KS të OKB’së, por ai ka kërkuar që në fusnotë të jetë edhe Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe mendimi i GJND’së.

Ndërkohë të kotë dhe jashtë realitetit, këtë propozim të Prishtinës e ka quajtur kreu i shtetit serb, Boris Tadic.

Ai ka thënë se nuk është optimist kur është fjala për marrjen e kandidaturës nga ana e Serbisë, pasi sipas tij, zgjidhja e problemit të Kosovës është “pak më larg” .

“Situata është më e keqe se mbrëmë për shkak të mënyrës në të cilën Prishtina propozon zgjidhje”, ka thënë ai.

“Propozimi i Prishtinës është jashtë çdo realiteti”, ka shtuar Tadic para gazetarëve.

Ai ndër të tjera ua ka bërë me dije qytetarëve të tij se është shumë vështirë të arrihet deri te statusi i kandidatit për Serbinë, mirëpo ka ritheksuar se nuk do të heqin dorë nga Kosova.

“Nuk varet vetëm nga ne, por nga çdo shtet i BE’së. Serbia asnjëherë nuk do të heqë dorë nga qëllimet e saj strategjike të përfshira në formulën ‘Edhe BE’në, edhe Kosovën’”, citohet të ketë thënë Presidenti serb.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›