E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Rishikimi i buxhetit, mund të preken kontigjencat

31/05/2011  Ministria e Financave do të bëjë publik draftin në qershor

Ministria e Financave do të ketë gati në fillim të muajit qershor draftin e rishikuar të Buxhetit të Shtetit. Ashtu siç është vepruar edhe vitet e fundit, në draftin e rishikuar do të ketë rishpërndarje të fondeve të përcaktuara për ministritë apo për sektorë të veçantë në buxhetin e miratuar të 2011-ës. Sipas burimeve të Ministrisë së Financave, dy janë shkaqet që mund të sjellin një reduktim të fondeve dhe që do të pasqyrohen në draftin e rishikuar të buxhetit. Së pari është niveli jo i mirë i mbledhjes së të ardhurave për pjesën e parë të vitit, si dhe rritja e shpenzimeve. Këto dy faktorë që do të sjellin shkurtime fondesh për disa sektorë. Ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka theksuar se për të pasur një deficit buxhetor nën kontroll, mund të ndërhyhet në fondin e kontigjencës. Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave për katër muajt e parë të vitit ishte 103.7 miliardë lekë, me një rënie prej 0.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Shpenzimet arritën vlerën e 119.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë. Kjo tendencë e të ardhurave dhe shpenzimeve solli një rritje të fortë të deficitit buxhetor, që për katër muajt e parë të vitit preku vlerën e 15.8 miliardë lekëve, ose 13 herë më shumë krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2010. Deri në fund të muajit prill është përdorur rreth 333.6 milionë lekë në formën e subvencionit për kompensimin e vlerës së taksës së biznesit të vogël të përdorur për rimbursimin e pajisjeve fiskale tek njësitë e qeverisjes vendore, nga fondi i kontigjencës për ruajtjen e deficitit i planifikuar në rreth 3.6 miliardë lekë. Po kështu, nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave i planifikuar në 1.5 miliardë lekë për vitin 2011 janë ekzekutuar deri në fund të muajit prill 2011 rreth 992.5 milionë lekë nga të cilat 205 milionë lekë për shpenzime për paga, 152.8 milionë lekë për shpenzime operative dhe mirëmbajtje dhe rreth 634.7 milionë lekë për investime.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›