E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika nga opozita e dhunshme apo nga vetë pozita e re?!

Janë momentet e fundit kalendarikë që kryetari ‘de facto’ i PDsë, Sali Berisha, përbën vërtet lajm për median. Me kalimin e orëve, javëve, muajve në vazhdim, ai do të transferohet përgjithnjë në arkivin historik politik, ku e pret prej kohësh ish-lideri i PS-së, Fatos Nano. Megjithatë, në këtë fazë tranziti, ai e gjeti që ta ndezë dhe një fishekzjarr, sipas të cilës do të bëjë një opozitë të fortë, që media e ka kanalizuar si radikale. Anipse, nuk është mjaftuar me këtë, sepse deklaratës së vet i ka shtuar edhe faktin që s’ka kurrsesi ndërmend të drejtojë seancën e parë të Kuvendit si deputeti më i vjetër! Arsyeja për këtë vendim, sipas tij, është bërë cilësia e Parlamentit të dalë nga vota e vjedhur! Thënie dhe kundërthënie. Por, a do të jetë një opozitë radikale ajo që do bëjë PD? Mendja të shkon vrulltas në ngjarjet e shtatorit 1998, kur Kryeministria gjuhej me antitank, nga militantët e vet, por kazusi veç nuk është aspak i njëjtë. Atë kohë vrasja e Azem Hajdarit mjaftonte për të mobilizuar, kurse ajo që ndodhi dhe po ndodh me Partinë Demokratike, s’mjafton më as të mbajë flakëzën që gati po shuhet te PD-ja, prej marifeteve të zgjedhjeve të fundit brenda partisë. E fjalët e Berishës dikur, se punët i zgjidhte dhe me djemtë e Mamurrasit, nuk mjaftojnë përballë votave të 1 milionë djemve kundër. Po për çfarë e ngre stekën kaq lart vallë? Një pjesë e artikullshkruesve në këto kohë piqen të gjithë në një vend. Ish-kryeministri po mundohet të ruajë pazhin e tij, kryetarin e ri të PD-së, nga përballja me dosjet e ‘Rrugës së Kombit’ dhe ’21 Janarit’ (për këtë të fundit ka edhe një këshillë të ditëve të fundit nga OKB-ja që ngjan si urdhër: duhet të mbarojë gjyqi), ashtu si pret që të ruhet për inerci familja e vet në lidhje me Gërdecin dhe çështje të tjera, të cilat drejtësia mund t’i merrte në shqyrtim këtej e tutje shumë lehtë me një ngacmim normal demokratik. Por, Berisha edhe pse e di mirë se humbja ka mësimet e veta po aq sa fitorja, po vepron ndryshe. Si gjithmonë fajin e transferon gjetkë, kurse përballjen me të vërtetën nuk e njeh. Po harron një gjë të madhe: Kohën dhe tagrin. Koha nuk i jep më mund të bëjë akrobaci kurse tagri këtej e tutje do ta zhveshë nga vendimmarrja. Edhe lustra që shumë i bëjnë nga frika dhe jo respekti i vërtetë (veç pakëve syresh), pa aktin e vendosjes, nuk do ketë më forcë të bëjë asgjë, përveçse do të dëmtojë më tej PD-në. Jo më kot, njerëzit e vet, po i dalin një e një nga radhët. I fundit në radhë ishte Patozi, që edhe pse me doreza tha të vërteta të hidhura për partinë e vet, ndryshe nga ish-kryetarja e Kuvendit, Topalli që nuk flet qartë dhe që po bën pa ia kërkuar askush ‘të bindurën’. Mesa duket, stuhia që po ngrihet te PD do të ketë një kulmim të vet, ku prej saj do dalin të padëmtuar ata që patën kurajë të tregojnë të vërtetën dhe të shikojnë humbjen në sy... Kjo, është arsyeja që kjo tollovi e brendshme e bën të pamundshme hë për hë këtë rezistencë radikale që prezanton Berisha.
Dhe, qeveria e re që po vjen në fuqi, para se të mendojë për këto kanosje i duhet që të ulë pak radhët e gjata në dyqane të të vobektëve, të merret ashtu si duhet me administratën dhe të kthejë normalitetin e rendit. E, më shumë sesa të frikësohet nga këto fjalë kundër, të merret me njerëzit e saj të pushtetit vendor, që janë kthyer në pashallarë në qytetet e tyre dhe i kanë transformuar këto qytete në vende të pabanueshme. Rastet e Vlorës, Sarandës, Durrësit e shumë komunave ngado, janë një shembull i madh për kryeministrin e ri që të tregojë sesa i fortë do të jetë në vendimmarrjet e tij, për të përcjellë pas hekurave kryetarët e komunave, bashkive, lloj-lloj shefash urbanistike, një rrjet të koklavitur mafiozësh, që e kanë përçudnuar vendin. Dhe, më shumë akoma, u duhet të mendojnë në përballjen me gjyqësorin, i cili do jetë ndryshe nga legjislativi dhe ekzekutivi, një organizëm që edhe për shumë kohë nuk do t’i hiqet etiketa e aprofesionalizmit dhe e shpërblimit partiak, që ka marrë deri më tashmë. Ashtu si shumë institucione që janë kthyer në shtojca politike, me mangësi të theksuara atributesh profesionale.
Jo më kot, zyrtarja e Bankës Botërore nxiti ekipin e ri qeverisës të Edi Ramës, që të fokusohet më shumë tek rritja e besimit dhe besueshmërinë e institucioneve publike. Sipas Lvovsky-it, duhej transparenca e vendimmarrjes dhe të të dhënave, pavarësi të vërtetë për institucionet e pavarura, forcimin e reformave, rregullimin e qeverisjes qendrore kundrejt asaj lokale etj.
Kjo është sfida radikale e pozitës dhe jo kërcënimi ‘de jure’ i Berishës, që duket se nuk ngre më peshë. Anipse problemi i sotëm i Berishës dhe i njerëzve përreth është se sillen sikur PD-ja të jetë vetëm pjesë e tyre dhe jo aset i politikës kombëtare. Që do të thotë se të gjithëve na intereson që truri i opozitës së ardhshme të jetë i kthjellët dhe të mos shkojë në sintoni me shprehjet “Nuk i njoh zgjedhjet” dhe “Do bëjmë opozitë radikale”. Muajt, javët, ditët që do kemi përpara do të na bëjë t’i shikojmë të dyja kahet, por frika më e madhe mbetet te aftësia e pozitës së re për të ndryshuar këtë djerrinë sesa në shprehjet e Berishës “së egërsuar” që tashmë do ketë vetëm petk historik, por jo institucional. E ndërkohë që skenarët e opozitës radikale i pëshpëritin gjithnjë e më shumë si thashetheme pak njerëz, që kanë humbur rehatinë dhe rrumpallën, sytë do jenë për hapat e parë dhe 100 ditshin e drejtimit të qeverisë së Edi Ramës. Sa për Berishën, ai vërtetë, nuk do përbëjë më aq lajm sa deri më tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›