Frika nga shndërrimi në femër
Alisa Gjoni, balerina që interpreton një rol mashkullor, dr. Kopeliusin. Alisës i është dashur të ngrejë në ajër kolege dhe të heqë frikën, mos qenia femërore i tradhton personazhin
Një copëz magjie ishte ajo që solli këtë fund viti në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, premiera e baletit “Kopelia, vajza me sy smeraldi”. Ndonëse subjekti nuk kishte të bënte asgjë me historitë e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, skenografia, kostumet dhe muzika përcollën një emocion tëtillë.
Ky balet ngjiti në skenë thuajse gjithë trupën e balerinëve të TOB-it. Disa prej tyre ishin në formën më të mirë e të tjerë linin për të dëshiruar. Njëinterpretim të mirë dhuroi Enada Hoxha, por që nuk përcolli emocionet e adoleshentes kurioze dhe të dashuruar. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për partnerin e saj Gerd Vaso që me vështirësi arrinte të ekzekutonte një pjesë të lëvizjeve. Gjë që ra më shumë në sy sapo doli në skenë balerini dhe koreografi i “Kopelias” Ilir Kerni, në rolin e ciganit.
Nata e dytë e premierës ishte e gjitha për solisten Erisa Gina. Svanilda e saj ishte shumë lozonjare dhe e saktë. Fatkeqësisht interpretimi i saj u zbeh nga partneri Ezdalin Gorani që me sa duket baleti modern e “ka gëlltitur” pasi me vështirësi arrinte të ekzekutonte pjesët solo të Francit, i dashuruar me vajzën me sy smeraldi. Interpretimi i Goranit ishteshumë i dobët.
Jo më mirë u paraqit prapavija e trupës së balerinëve. Kostumografia me ngjyra mjalti, ardhur nga Kroacia, nuk arriti të fshihte kilet e tepërta të balerinave, të cilat të jepnin përshtypjen sikur po qëndronin në majë të gishtave me një sforcim të madh. Dallonte mbi të tjera eleganca e lëvizjeve të balerinës Greta Hushi, që interpretoi me sukses dy role të veçanta, ciganen dhe Lutjen.
Dr. Kopeliusi është personazhi më i veçantë i libretit të shkruar nga Charles Nuitter dhe Arthur Saint-Leonbaletit. Në skenën e Tiranës atë e bëri edhe më të veçantë interpretimi i Alisa Gjonit dhe Eno Birkos. Është i njëjti rol që dublohet nga një mashkull dhe një femër.
Koreografi Ilir Kerni rrezikoi dhe ia doli mbanë me sukses. Nëse për Birkon roli i doktorit plak ka qenë më i thjeshtë (për faktin se është mashkull), për Alisa Gjonin në fillim nuk ka qenë aspak i tillë. Megjithatë interpretimi i tyre ishte në të njëjtin nivel dhe nuk ishte e lehtë të dalloje nëse po luante Alisa apo Eno.
Alisa tregon se vështirësia më e madhe që ka hasur gjatë punës ka qenë ngritja e vajzave që interpretonin Svanildën. “Jam përpjekur shumë të gjej një mënyrë për të ngritur personazhin femëror sepse ky është një rol i menduar për meshkuj dhe unë nuk kam muskuj për të çuar peshë”,- shprehet ajo.
Pjesa më e bukur dhe më e vështirë njëkohësisht mbetet akti i dytë i baletit, kur në skenë është vetëm Kopeliusi dhe Svanilda. I gjithë ky akt është vendosur në shtëpinë e Dr. Kopeliusit që skenografi kroat Zorz Drausnik e kishte paraqitur me ngjyra të thella të errëta që krijonin një ajër misterioz, një botë alkimistësh me qëllim njohjen e fiziologjisë dhe për rrjedhojë dhe të shpirtit dhe mendjes njerëzore. Një botë surreale e shprehur me trajta të çuditshme trupash dhe kafshësh që mbulonin muret e gjithë shtëpisë. Në sfond qëndronin disa nga kukullat të krijuara nga Kopeliusi.
Gjatë gjithë këtij akti në skenë janë vetëm doktori (Alisa Gjoni) dhe Svanilda (Erisa Gina). Nuk është një pjesë e mbushur me lëvizje teknike për doktorin, por me aktrim. Alisa tregon se për të kjo ka qenë një punë e lodhshme, pasi në çdo moment ekzistonte rreziku për tu kthyer në femër.
Për realizimin e dr. Kopleiusit ajo nuk ka pasur asnjë model. Gjithçka që ka sjellë në skenë ka qenë fryt i saj. “Çdo gjë është individuale. Kjo është arritur edhe në sajë të koreografit Ilir Kerni. Ai është përpjekur të më japë modelin se si duhet bërë që në fund të dalë kuptimi i personazhit”,- thotë Alisa.
Nuk është hera e parë që Gjoni dhe Birko ndajnë të njëjtin rol. Një vit më parë në baletin “La Sylphide” koreografi Ilir Kerni lëvizi rolet. Shtrigën që ishte një personazh femëror ai ja besoi edhe një balerini. Tani te baleti “Kopelia” bëri të kundërtën, rolin e një mashkulli ja besoi edhe një femre. “Ndoshta profesori ka parë diçka tek gjestet e mia, që janë në këtë rol, dhe ka menduar se unë mund të realizoj Dr. Kopeliusin. Nuk është se kam ndonjë dhunti të veçantë”, rrëfen 25-vjeçarja. Megjithatë shton se herën tjetër do të mendohet mirë para se të pranojë një rol të tillë, pasi ngritja e balerinave në ajër është një punë e vështirë për një vajzë.