E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet për letërsinë shtyhen në janar

 

Çmimet kombëtare për letërsinë këtë vit do të jepen në janar. Vlerësimi i krijimtarisë letrare të një viti këtë herë ka ndryshuar disi. Organizatorët kanë vendosur që të vlerësojnë të gjitha botimet që do të dalin në treg deri në datën 31 dhjetor dhe vetëm në ditët e para të muajit të ardhshëm mund të japin mendimin e tyre.

Ashtu si dhe në edicionin e mëparshëm, librat nuk janë dorëzuar pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Juria e ngritur për vlerësimin dhe dhënien e këtyre çmimeve ka monitoruar gjatë gjithë këtyre muajve tregun e librit dhe titujt e kataloguar në Bibliotekën Kombëtare.

Burime nga Ministria e Kulturës bëjnë të ditur se prurjet më të mëdha këtë vit janë në prozë, poezi dhe përkthim.

Gjithë veprat e botuara gjatë vitit 2008 do të shqyrtohen nga juria e përberë nga Aurel Plasari (kryetar), Agron Gjekmarkaj, Parid Teferiçi, Zija Çela dhe Mirela Kumbaro. I vetmi ndryshim në juri është largimi i Donika Omarit, vendin e së cilës e ka zënë Kumbaro që do të japë gjykimin e saj mbi përkthimet. Janënëntë çmime që do të jepen këtë vit: çmimi “Gjergj Fishta” për kontributin e dhënë në fushën e mendimit, çmimi “Faik Konica” për kritikën, çmimi “Fan Noli" për përkthimin në shqip, çmimi “Mitrush Kuteli” për prozën e shkurtër, çmimi “Kadare” për integrimin e gjuhës shqipe në kultura të tjera, çmimi “Migjeni” për autorët e rinj në prozë dhe poezi, çmimi “Poradeci” për poezinë, çmimi “Jusuf Vrioni” për përkthimin e shqipes në gjuhë të huaj, çmimi “At Donat Kurti”, për krijimtarinë për fëmijë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›