Frikë dhe Panik tek opozita – Edvini jep edhe dy ditë afat për marrjen e kësteve të fundit të “taksës partiake”

I mbetur peng i aleatëve dhe i pazareve, Edi Rama s’ka mundur as dje të shpallë listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore. Nard Ndoka e Vangjel Dule shfaqen si më të uriturit për zona të lira, ndërkohë që “të pakënaqurit” deklarojnë në unison se do të regjistrohen si të pavarur në listat zgjedhore
Tullumbacja e krizës vazhdon të zgjatet e të bëhet tërkuzë, ndërsa askush s’gjendet pranë t’i japë dorën e fundit, ngërçit të paprecedentë të Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve vendore. Edi Rama ka pranuar publikisht se PS s’e ka të lehtë nxjerrjen e emrave përkatës që do kandidojnë në 8 maj, për shkak të trysnisë dhe presionit të të vegjëlve, të cilët në këtë rast kërkojnë llokmën që iu takon, në bazë të marrëveshjes politike. Por, bashkë me aleatët presioni është më i gjerë edhe në bazë, atje ku ata që presupozoheshin “kandidatë” për kandidat në 8 maj, kanë paguar shuma të majme “taksë partie”, për të fituar pikërisht atë vend që zgjat dhe stërzgjat kryesocialisti. Kësisoj, Partia Socialiste s’ia doli as dje në mbrëmje të shpallë listën e kandidatëve të pushtetit lokal, nga frika e një përçarje të re mes koalicionit vetëm një ditë para skadencës ligjore që parashikon Kodi Elektoral. Vangjel Dule dhe Nard Ndoka vazhdojnë ta mbajnë në tension Edi Ramën, duke e shantazhuar atë krijimin e zonave të lira për kandidatët e aleatëve, të cilat janë jo pak, si marrëveshja e vetme mes PS-së dhe aleatëve. I ndodhur në kushte të pafavorshme manovrimi dhe manipulimi të momentit, Edi Rama është detyruar që për dy ditë me radhë të shtyjë mbledhjet e kryesisë, pa dhënë asnjë shpjegim objektiv. Edhe pse dhjetëra aspirantë për kandidimin në zgjedhjet e 8 majit kanë pritur me shpresën se kryetari i tyre do shpallte atë të shkretë liste, përsëri Edi Rama po rivë në skenë lojën që demonstroi edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Edvini i dërgoi listat e kandidatëve plot 4-5 orë me vonesë pasi kishte skaduar afati ligjor që parashikon Kodi Elektoral. Edhe në këtë rast, Edi Rama e di fare mirë se pozitat e tij në kontrollimin politik dhe administrativ të Partisë Socialiste dhe të së majtës janë në caqet e papërfillshmërisë, ndërsa po zgjat e po bën tërkuzë shpalljen e listave të kandidatëve socialistë. Krahas presionit të aleatëve të cilët mund t’ia dredhin bishtin në rast të mos arritjes së marrëveshjes, po ashtu edhe anëtarësia socialiste, apo të nominuarit si kandidatë, mund të shfrytëzojnë atë “një ditë”, brenda afatit ligjor, për t’u shpallur të pavarur, çka do të reduktonte votat e socialistëve në zonat zgjedhore. Pra, Edvini ndodhet mes dy zjarreve, njëri më i rrezikshëm se tjetri. Zgjedhjet po afrojnë dhe bashkë me to po bëhet i pavlefshëm edhe afati ligjor për dorëzimin në KQZ të listave të kandidatëve përkatës në të gjitha zonat zgjedhore. Por, njëherazi me presionin ligjor, Edi Rama po përballet edhe me presionin ligjor, pikërisht prej atyre pazareve financiare, aleatët dhe “kandidatët” aspirantë për kandidatë kërkojnë të drejtën që iu takon, porsa kohë kanë paguar “taksën e partisë”. Për këtë “kategori” kandidatësh, Edi rama ka frikën se ata kandidatë për kandidatë që “nuk janë kualifikuar”, për shkak se kanë paguar më pak, mos i dalin të pavarur, apo, mos kandidojnë për aleatët, duke rrezikuar kështu edhe koalicionin.
...