Bregu raporton në komisionin e Integrimit: Opozita të bashkëpunojë për integrimin, 5 nga 12 rekomandimet e Brukselit kërkojnë 3/5 e votave

“Komisioni i Integrimit nuk i është përgjigjur ftesës sonë zyrtare për bashkëpunim”
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu raportoi sot në Komisionin Parlamentar të Integrimit lidhur me Planin e Veprimit të përgatitur nga institucionet shqiptare për 12 rekomandimet e Komisionit Europian për Shqipërinë. Përveç anëtarëve të mazhorancës, nga ana e opozitës ishin pjesëmarrës vetëm kryetarja e Komisioni Ermelinda Meksi dhe deputeti Ditmir Bushati, ndërkohë që mungonte pjesa tjetër e anëtarëve të opozitës, mungesë kjo që nga znj.Meksi, u justifikua si objektive.
Pas raportimit të ministres, kryetarja e Komisionit Meksi tha se qeveria dhe mazhoranca e kanë lënë jashtë opozitën gjatë përgatitjes së këtij plani veprimi, duke mos e ftuar dhe konsultuar për të dhënë zyrtarisht versionin e saj lidhur me rekomandimet. Ministrja, nga ana e saj, hodhi poshtë këtë akuzë, duke thënë se që nga 16 shkurti, kur Ministria e Integrimit i ka dërguar një letër-kërkesë Komisionit të Integrimit për të bashkëpunuar, deri sot, Komisioni dhe kryetarja e tij, znj.Meksi nuk i kanë kthyer asnjë përgjigje zyrtare për bashkëpunim dhe monitorim të Plan Veprimit.
“Nuk jam thërritur, as jam pyetur për çfarë kishim nevojë për këtë plan. Aq më tepër që nuk e kuptoj pse kjo mazhorancë dhe qeveria, duhet t’ju kërkojë juve që të shpreheni për votimin e ligjeve me 3/5, sepse detyrimi për votimin e këtyre ligjeve, nga kodi ajror, hekurudhor nga ligji për gjykatën administrative, është edhe i juaji. Siç edhe thatë, detyrat tuaja juaja i merrni vetë”, u përgjigj ministrja Bregu.
Ndërsa deputeti i PS-së Ditmir Bushati tha se ekziston një problem shumë i madh, që sipas tij nuk ka të bëjë as me Ministrinë e Integrimit, as me komisionin Parlamentar të Integrimit, por me mos përfshirjen në këtë plan-veprimi, të institucioneve të pavaruara dhe parlamentit. “Mendoj se këta aktorë duhet të jetë pjesë e këtij procesi dhe të kenë peshën e tyre në dizenjimin e problematikave të procesit. Do të doja të shikoja në këtë Plan Veprimi, institucionin e opozitës, komisionet parlamentare, qeverinë dhe institucionet e tjera, pasi duket sikur Ministria e Integrimit po zëvendëson ministritë e linjës dhe institucionet e pavaruara”- tha Bushati.
Lidhur me këtë shqetësim të ngritur nga opozita, Ministrja Bregu tha se për këtë Plan Veprimi janë konsultuar dhe kanë sjellë raportet e tyre, të gjitha institucionet e pavarura, Prokuroria, Presidenca, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Avokati i Popullit, etj., të dhëna këto që sipas saj mund të vërtetohen fare lehtë nga përmbajtja e Planit të Veprimit.
Pjesë nga fjala
“Sot jemi me kohë të kufizuar, sepse pas një ore duhet të drejtoj një mbledhje me grupet e punës për të përmbyllur përgatitjet për takimin e nesërm dhe pasnesërm, takimin konsultativ apo seminarin e organizuar nga Komisioni Europian dhe përfaqësues të palës shqiptare lidhur me Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas Opinionit të KE-së. Duke qenë se nesër dhe pasnesër, do të jenë dy ditë intensive nga mëngjesi deri vonë në darkë për këtë Plan veprimi, do të kërkoja dhe mirëkuptimin tuaj që të mos ndaleshim në analizë të të gjitha prioriteteve të përfshira në Planin e Veprimit. Kjo, për arsye se takimi i nesërm bëhet me qëllimin e mirë për të përmirësuar, rishikuar dhe mbërritur në një plan me komente dhe sugjerime dhe të palës komunitare, të cilat do ta bëjnë atë një dokument më solid deri në përmbushjen e këtyre objektivave.
Pra, më 31 janar është miratuar në mbledhjen e Komisionit Ndërministror të Integrimit, plani i veprimit i palës shqiptare dhe ia kemi dorëzuar atë më 16 shkurt Komisionit Europian. Ky ishte varianti i parë të cilin Komisioni Europian do të ndiqte pastaj me komente dhe do të organizonte seminarin e nesërm. Pastaj diskutimet do të vazhdojnë javën tjetër në takime të ngjeshura në Bruksel.
Gjatë përgatitjes së këtij Plani veprimi u bazuam në një metodologji e cila bazohej në një analizë të materialeve të Opinionit të KE, në një metodologji të konstruktuar, e cila për herë të parë i është dhënë si një model i konsoliduar të gjitha institucioneve shqiptare. Përsa i përket 12 rekomandimeve kemi propozuar që të gjitha institucionet të bënin gati një input të tyren, me planifikim strategjik gjithëpërfshirës, me buxhetim, me aktivitete që duhet të përfundojnë, maksimumi brenda muajit korrik, por duke patur parasysh që në maj duhet të dorëzojmë inputin për progres-raportin e muajit nëntor.
Ju kemi kërkuar institucioneve të ishin sa më të saktë dhe real në parashikimet e tyre. Kërkuam një planveprimi strikt nga të gjitha ministritë, gjithsesi mundësitë e korrigjimit të tij i kemi nesër dhe pasnesër ku komisioni juaj dhe i jashtëm janë të thirrur të marrin pjesë në diskutimet për 5 rekomandimet e para që kanë të bëjnë kryesisht me Parlamentin, ligjet me shumicë të cilësuar, pjesa që ka të bëjë me përgatitjen zgjedhore dhe të gjitha prioritetet e tjera si Ombudsmani.
Një tjetër pikë për të cilën më keni thirrur, është raportimi lidhur me Komitetin e Stabilizim Asociimit, KSA, inputin e së cilit ia kam dorëzuar sot znj.Meksi dhe planin vjetor të veprimit të Ministrisë së Integrimit, sikurse edhe një kopje të udhëzuesit për prioritetet e procesit të integrimit.
Pyetje
Kryetarja e Komisionit të Integrimit znj.Ermelinda Meksi:
Cili është dallimi që ky plan veprimi ka nga plani Kombëtar për Zbatimin e MSA, sepse, në mbi 80% të tij ka përsëritje mbi arritjet e vitit 2010, duke krijuar një plan paralel. Kur flitet për parlamentin, ka shumë subjektivizëm, saqë materiali duket si manifest politik dhe jo si një dokument i përgatitur me përgjegjësi politike dhe profesionale. Pse nuk është konsultuar Komisioni i Integrimit për përgjigjet që janë dhënë, lidhur me 5 rekomandimet e para, është përgjegjës Kuvendi në radhë të parë dhe Komisioni I Integrimit. Nga ana tjetër, në material neve si Komision i Integrimit na vini detyra për monitorim: këto detyra ne i marrim vetë dhe i kemi funksionale. Por, opinionet e dhëna nuk janë të Kuvendit dhe për më tepër nuk është marrë fare mendimi i opozitës për këto çështje.
Ministrja Majlinda Bregu:
Dhe njëherë, kam parasysh atë që ju thatë, detyrat tuaja ju i merrni vetë, ka pak rëndësi se kush ua kujton atë që duhet të bëni. Ju jeni përgjegjës për veprimet tuaja. Në datën 17 dhjetor ju më keni nisur një letër ku kërkoni informacion për disa nga pikat që unë kisha referuar në komision. Materiali i plan veprimit është dërguar tek ju më 16 shkurt, menjëherë pasi është përkthyer, në të njëjtën ditë që është dërguar në Komisionin Europian. Në po atë ditë ju kam dërguar një letër, për dijeni edhe kryetares së Kuvendit, ku ju ftoja sinqerisht që të monitoronim të gjithë së bashku, pra ne dhe komisioni i Integrimit. Pra nga 16 shkurti deri sot, unë nuk kam asnjë përgjigje zyrtare nga Komisioni i Integrimit që ju të na begenisni për të monitoruar bashkë me ne planin e veprimit. Nuk jam thërritur, as jam pyetur për çfarë kishim nevojë për këtë plan. Përsa i përket funksionimit të parlamentit, po përsëris dhe njëherë fjalinë brilante që thatë: ‘detyrat tuaja, ju i merrni vetë’, 5 rekomandimet e para nuk janë prioritete për të cilat ka nevojë t’ju kujtojë njeri, janë votime të ligjeve me 3/5. Unë nuk e kuptoj pse kjo mazhorancë dhe qeveria, duhet t’ju kërkojë juve që të shpreheni për votimin e ligjeve me 3/5, sepse detyrimi për votimin e këtyre ligjeve, nga kodi ajror, hekurudhor nga ligji për gjykatën administrative, është edhe i juaji. Kjo është diçka që nuk ka nevojë t’ua kërkojë njeri të vini ta bëni, sepse siç thatë dhe vetë, detyrat tuaja ju i dini vetë.