Shkrimtari i madh Montefiore, në Tiranë për të rrëfyer Jeruzalemin e tij

I ftuar nga botuesi Fahri Balliu, shkrimtari Simon Sebag Montefiore, studiuesi më i madh perëndimor i diktaturave staliniste, prezanton sot pesë librat e tij në gjuhën shqipe, botuar nga Shtëpia Botuese 55, ndër to edhe rrëfimi i tij ekskluziv “Jeruzalemi”. Në intervistën e parë mediatike, dhënë Tv Klan, Montefiore shprehet i mrekulluar me realitetin shqiptar dhe me audiencën e shkëlqyer që po gjen tek lexuesit e tij. Përveç prezantimit të librave, shkrimtari Montefiore sot merr edhe doktoraturën “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës
Historiani dhe shkrimtari i njohur anglez Simon Sebag Montefiore ka mbërritur dje në Shqipëri, i ftuar nga Presidenti i Shtëpisë Botuese “55”, z.Fahri Balliu. Në aeroport ai është pritur nga vetë publicisti Balliu, i cili e quajti mbërritjen e tij në Tiranë si një ngjarje të rëndësishme për editorinë, por edhe për vetë kulturën shqiptare. Gjatë prononcimit të parë për mediat, në një intervistë dhënë Tv Klan, Simon Montefiore u shpreh i mrekulluar nga Shqipëria dhe realiteti që ajo po i ofronte. “Është me të vërtetë surprizë për mua, tha ai. Jam i mrekulluar nga ajo ç’po shoh, nga realiteti evropian dhe vlerësimi i lartë për librin që po gjej këtu. - Jam shumë i lumtur me përkthimin dhe sjelljen në shqip të 5 librave të mi, tha zoti Montefiore, punë e cila ka qenë shumë e vështirë, e për çka s’mundem veç të shpreh nderimin për botuesin tim në gjuhën shqipe”. Gjatë intervistës televizive, shkrimtari Montefiore, përveç fokusimit të gjerë në çështje që kanë të bëjnë me diktaturën staliniste e posaçërisht me diktatorin gjeorgjian, punë për të cilën ai sot në Perëndim gëzon famën e studiuesit më të mirë të çështjeve që kanë të bëjnë me diktaturën staliniste, u ndal në sfidën që kishte paraqitur për të, shkrimi i veprës së fundit “Jeruzalemi”, i cili ka dalë në tregun perëndimor para pak kohësh dhe është shndërruar menjëherë në një best-seller. “Ka qenë i vështirë ndërmarrja e udhëtimit personal për të shkruar një rrëfim përmbledhës për Jeruzalemin, këtë qytet të përbotshëm të dy qytetërimeve e të tre besimeve, i cili njëkohësisht paraqiste edhe udhëtimin për gjetjen e rrënjëve të familjes time. – Është gjithmonë një sfidë ky soj përshkrimi, tha shkrimtari Montefiore, dhe jam i lumtur që ndër gjuhët e para në të cilat ai është përkthyer është shqipja”. Po dje, shkrimtari Simon Sebag Montefiore është pritur në një takim të posaçëm nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj. Ministri shprehu kënaqësinë e tij që priste një personalitet të studimeve të problematikës që sjellin diktaturat e tipit stalinist dhe vlerësoi kolanën e botimeve të tij, që kishte ardhur në shqip nga Shtëpia Botuese “55”. Edhe në takimin me ministrin Xhaferraj, shkrimtari Montefiore u ndal tek mbresat e forta që po i shkaktonte vizita në një vend kaq interesant si Shqipëria, me një histori të pasur e me një energji të brendshme, e cila ia vlen të zbulohet. Për nder të shkrimtarit të madh Montefiore, ministri Xhaferraj, shtroi një drekë mirëseardhjeje. Shkrimtari Simon Sebag Montefiore do të nderohet sot në orën 11 me çmimin “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës, ndërkohë që pasdite, në orën 18, Shtëpia Botuese “55” do të prezantojë në Hotel “Sheraton” botimin në gjuhën shqipe të pesë librave të tij best-seller: “Jeruzalemi”, “Stalini - Në oborrin e Carit të kuq”, “Stalini i Ri”, “Sashenka”, si dhe “Katerina e Madhe dhe Potemkini”. Simon Sebag Montefiore u lind më 1965. ai ka studiuar për histori në kolegjin “Gronville & Caius” të universitetit të Kembrixhit. Libri i tij “Katerina e Madhe & Potemkini” është përzgjedhur për çmimet Samuel Johnson, Duff Cooper dhe Marsh Biography. “Stalini - Në oborrin e carit të kuq” u nderua me “History Book of the Year” në “British Books Aëards” në vitin 2004. “Stalini i ri” ka fituar çmimin Bruno Kreisky për letërsinë politike, çmimin Costa Biography Aëard dhe ishte finalist për Los Angeles Times Book Prize. Librat e Montefiores janë shumë të shitur anembanë globit dhe të botuar në mëse 30 gjuhë. Montefiore ka titullin “Felloë of the Royal Society of Literature”. Ai jeton në Londër me gruan, romancieren Santa Montefiore dhe dy fëmijët e tyre. Libri i tij “Jeruzalemi” është përkthyer në shqip nga Etleva Sakajeva, ndërsa “Stalini:Në oborrin e Carit të kuq” nga Abdullah Sollaku. “Stalini i Ri” është përkthyer nga Blendi Lami, “Sashenka” nga Ergys Petriti, kurse “Katerina e Madhe dhe Potemkini” nga Abdullah Sollaku dhe Ergys Petriti.
...