Frikë nga mosveprimi
Nuk ka kurrëfarë vështirësie të hetohet maturia e mençuria gjermane ndaj së shkuarës, të mbi gjysmë shekulli më parë. Më 1996, duke vizituar Televizionin ARD, presidenti i tij i sëmurë, kishte porositur drejtorin, të bënte kujdes për t’u njohur me këtë televizion publik dhe qytetin e famshëm të Mynihut. Sekretarja e tij, një gazetare e diplomuar në gazetari, duke udhëtuar nëpër qytet, pa e pyetur për çfarë do të thoshte, shqiptoi një frazë që të prekte për nga vetëdija e thellë: “Ne brezi i sotëm nuk kemi përgjegjësi për çfarë bënë etërit tanë”. U befasova nga të ndjerit ngushtë, ndërsa dy breza të mëpasëm krijuan një Gjermani të zhvilluar e paqësore, me një politikë dhe fuqi të vetëkontrolluar në mënyrë të përkryer. Ajo që ka tërhequr vëmendjen dhe simpatinë, e kontinentit e të botës, janë energjia e Gjermanisë për t’u zhvilluar shpejt, roli i Gjermanisë për t’u bërë shpirti i krijimit të Bashkimit Europian, fuqia e Gjermanisë si kontribut i rëndësishëm i funksionimit të Bashkimit Europian, eksportet e pëlqyera gjermane dhe politika konstruktive e Republikës Federale të Gjermanisë.
Dy ndër kombet e mëdha të Europës, gjermanët dhe anglezët, i kanë dhënë njerëzimit, shembuj të jashtëzakonshëm energjie dhe diturie. Duke iu referuar një dijetari erudit shqiptar, të shekullit të kaluar, Dr. Vasfi Samimi Visoka, qysh në auditoret e universitetit, kishte guximin për të përcjellë jashtë leksioneve informacion si ky: në fillim të shekullit 19-të, që kryer një bilanc konkurrues mes dy kombeve, atij gjerman dhe anglez se, cili prej tyre i ka dhënë më shumë njerëzimit në mendimin filozofik dhe historik, zhvillimin industrial, zbulimeve të mëdha, shkencës, muzikës, letërsisë dhe kulturës. Dhe, në këtë garë fisnike, me rezultat të ngushtë, gjermanët ishin paksa më përpara. Por asnjë shtet që ka kryer veprime në dëm të të tjerëve nuk ka kërkuar ndjesë në mënyrën më të thellë dhe më bindëse se sa Gjermania. Ngjitja e Gjermanisë, në mënyrë të rrufeshme, në majat e zhvillimi botëror dhe shndërrimi i Gjermanisë në shpirtin e kohezionit të Bashkimit Europian, është për t’u përshëndetur, dhe nuk është për t’u paragjykuar, ca më pak për t’iu drojtur. Bashkimi Europian nuk mund të shkojë drejt plotmërisë së vet, me rrethinat e kontinentit, për t’u shndërruar në të ashtuëndërruarën - Shtetet e Bashkuara të Europës, pa një Gjermani të fuqishme në bërthamën e tij, jo vetëm si gjeografi siç edhe ndodhet m’u në qendër, por me politikë, ekonomi, shkencë e kulturë. Kjo ide sikur po vihet me droje në shqyrtim - nga paragjykimi, por edhe arsyetohet me guxim - nga e vërteta, pikërisht në këto kohë të vështira për Bashkimin Europian, krizën e funksionimit për shkak të borxheve, sidomos vënia në rrezik e monedhës së përbashkët, Euro. Mbi këtë ide, deklaratën më kurajoze e të sinqertë e ka dhënë Polonia, përmes ministrit të jashtëm Radosllav Sikorski. Ai, edhe pse me drojen se mund të paragjykohet, guxoi që, m’u nga një studio televizive e Berlinit, javën e shkuar tha se, “Do të kthehem ndoshta në të parin ministër të jashtëm të historisë së Polonisë që bën një deklaratë të tillë, por ja ku po e them: I druhem fuqisë së Gjermanisë më pak sesa mosveprimit të saj”. Ky mendim vërtetë përbënte lajm. Se çfarë u shtjellua në shtypin europian nuk di, ndërsa në Shqipëri, kjo deklaratë nuk u pa askund nëpër ekrane dhe as në shtatëmbëdhjetë gazeta të ditës së nesërme të Shqipërisë, me përjashtim të një kanali televiiziv. Sikorski, mbase, është i pari në historinë e Polonisë që shqiptoi diçka të madhe, por në këtë kohë, ndoshta, ai mund të jetë dhe i vetmi në gjithë Bashkimin Europian që vë në pah të vërtetën e mbështetjes së domosdoshme për një vend që ka rol lidershipi në Bashkimin Eurpopian, që të mund të tërheq dhe shtete të vogla e periferike, për mbijetesën e Bashkimt Europian, të forcimit të tij dhe sendërtimit të Shteteve të Bashkuara të Europiës, një projekt i ndryshëm por dhe në ngjashmëri me Shtetet e Baskuara të Amerikës, jo vetëm për nga pagëzimi dhe tingëllimi i emrit, por dhe nga simboli i monedhës: dollari – “S” me dy viza vertikale në mes, euro - E, me dy viza horizontale në qendër. Barazia mes anëtarëve të Bashkimit Europian është një parim bazë i madh, por kontributet në funksionim ndryshojnë. Gjatë krizës së tashme - e para me të cilën përballet Bashkimi Europian, është Gjermania që po luan rol vendimtar, ashtu siç do të ishte Gjermania që do të përballonte më shumë brenda Bashkimit Europian, nëse BE-ja do të vihej përpara një agresioni. Ministri Sikorski foli qartë kur shtjelloi se, “Rreziku më i madh për sigurinë dhe prosperitetin e vendit tim sot do të ishte kolapsi i zonës së euros. Ndaj i kërkoj Gjermanisë që, për të mirën e saj dhe tonën, t’i vijë në ndihmë unionit monetar, që të mbijetojë e të lulëzojë. E dini mirë të gjithë se askush tjetër nuk mund ta bëjë një gjë të tillë”. Në këtë kohë prove, të gjithë shohin, dhe pak kush mund të mos jetë dakord: këtë rol nuk mund ta bëjnë vendet në borxhe me në krye Greqinë, nuk mund ta bëjnë shtetet me ekonomi të dobët si Qipro, por as dhe shtetet e pasura nordike ngaqë janë të vegjël. Brukseli si qendër e Bashkimit Europian ka nevojë për lidership dhe ky rol shihet të mbështetet nga Gjermania e Franca. Mbizotërimi gjerman nuk duhet parë si frikë, por si domosdoshmëri e natyrshme. Ministri i jashtëm gjerman Guido Vestervelle, brenda këtij konteksti, nuk ka bërë thirrje për “më shumë Gjermani”, por për “më shumë Europë”. Mbi rolin e bërthamës gjermano-franceze dhe vështirësitë e krijuara, teoricieni politik Herfried Munkler, është shprehur në “Der Spiegel” që, Europa po shkatërrohet nga periferia e saj. Çfarë përfaqëson zëri gjerman, shqiptarët si popull ende i pa integruar në BE, e kuptojnë fare qartë në raport me problemet me të cilat përballen, siç janë ato mes Kosovës dhe Serbisë. Ministri i jashtëm gjerman Guido Vestervelle , javën që kaloi bëri këtë deklaratë: “… e them lirshëm dhe pa e thënë rrotull, Serbia duhet të njohë intgritetin territorial të Kosovës. Ky do të jetë kriter për vendimet e Gjermanisë në të ardhmen”. Ndërsa kancelarja Angela Merkel, që nga parlamenti gjerman fajësoi Serbinë për ngjarjet në veri. Ajo paralajmëroi se nuk mund t’i jepet statusi i vendit kandidat për në BE duke ndjekur një politikë të tillë.
Nuk është Gjermania që kërkon lidership brenda BE-së, por Gjermania e zhvilluar i duhet BE-së për lidership. Ajo për të cilën Gjermania është e shqetësuar, mbetet mbijetesa e Bashkimit Europian, forcimi dhe plotmënia e tij, brenda idesë se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përtej Atlantikut dhe Bashkimi Europian përkëtej Atlantikut, në aleancë dhe partneritet, do të ruanin ekuilibrin paqësor të botës. Koha është e tillë: aspak frikë nga lidershipi gjerman, frikë nga mosveprimi gjerman.