Përcillet për në banesën e fundit, politikani dhe shkrimtari Sabri Godo
E gjithë klasa politike si dhe përfaqësues të intelektualëve e shoqërisë civile i dhanë lamtumirën shkrimtarit spikatës të letërsisë shqipe të 50 viteve të fundit si dhe eksponentit të politikës gjatë këtyre 20 viteve të tranzicionit
Kurora me lule, tinguj funebër dhe pikëllim shoqëruan dje ceremoninë mortore të politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godo, i ndarë dje nga jeta në moshën 82-vjeçare. Krerët më të lartë të shtetit, personalitete të politikës, të majtë e të djathtë, përfaqësues të komuniteteve fetare, trupit diplomatik, njerëz të artit dhe kulturës, qytetarë nga e gjithë Shqipëria, i dhanë sot lamtumirën e fundit Sabri Godos, në homazhet e organizuara për rreth dy orë, në hollin e selisë së parlamentit. I mbuluar me flamurin kuq e zi dhe kurora të shumta me lule, trupi i pajetë i Sabri Godos u përcoll për në banesën e fundit me nderime dhe respekt të veçantë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, bënë homazhe dhe ngushëlluan familjarët e politikanit Godo, duke lënë edhe nga një shënim në librin e Zisë të hapur me këtë rast. Homazhe për të nderuar kujtimin e politikanit të njohur, që themeloi në vitin 1991 Partinë Republikane, të cilën e drejtoi për tetë vjet, dhe më pas e kryesoi si President Nderi, zhvilluan dje dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ish-Presidenti Rexhep Mejdani i shoqëruar nga ish-Kryetari i Kuvendit Skënder Gjinushi; më herët ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi, një delegacion nga Partia Socialiste i kryesuar nga kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, deputetë të PD-së, ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth dhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Homazhe në nderim të Sabri Godos zhvilluan dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, princi Leka i II-të, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu.
Sabri Godo, një nga figurat dhe personazhet më të rëndësishëm të politikës shqiptare në 20 vitet e fundit, u nda nga jeta të shtunën në moshën 82-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë në mushkëri. Ndonëse jo me një angazhim politik të drejtpërdrejtë, prej shumë vitesh, Sabri Godo ishte aktiv në të gjitha momentet kritike apo debatet për shumë situata që kalonte vendi.
I lindur në Delvinë më 8 gusht 1929, dhe pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, Godo e vazhdoi të mesmen në Tiranë, të cilën e la në gjysmë në vitin e tretë, pasi mori pjesë në luftën antifashiste, nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga Jugosllavia. Godo u largua nga Shqipëria së bashku me nënën e tij pasi përndiqej politikisht.
Para viteve ‘90 Sabri Godo ishte i njohur përmes disa veprave si shkrimtar, ku romanet historikë, “Skënderbeu” dhe “Ali Pashë Tepelena”, janë ndër më të rëndësishmet.
Ndërsa, me përmbysjen e regjimit komunist, gjatë historisë 20 vjeçare të pluralizimit, ai do të ishte një nga figurat më me peshë në vend.
Themelues i Partisë Republikane në vitin 1991 dhe dy herë deputet i parlamentit shqiptar, Sabri Godo është ndër hartuesit e Kushtetutës së vendit. Ai do të tërhiqej nga drejtimi i republikanëve, duke ruajtur pozicionin e Presidentit të Nderit të Asamblesë së Partisë Republikane, ndërkohë që angazhimi i tij publik do të mbetej i fortë. Në shumë çështje të debatuara apo situata kritike mendimi i tij do të kërkohej për të rivendosur ekuilibrat dhe për të ofruar zgjidhjet e matura.
Gjithashtu, keqardhje për ndarjen nga jeta të Sabri Godos kanë shprehur dhe drejtues të partive politike shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.