E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu mban takimin me Vatikanin lidhur me rëndësinë e përmasës fetare në historinë e popujve

04-12-2011 / Gazeta 55

“Përmasa fetare e dialogut ndërkulturor”: kjo ishte tema e debatit, që mblodhi javës së kaluar, për dy ditë, në Luksemburg, eksponentë të feve të ndryshme dhe ekspertë të shkëmbimeve kulturore e të mediave. Takimi u organizua nga Këshilli i Evropës në Abacinë Nojmynster të qytetit. Vetë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland e hapi konferencën me këtë mesazh, në të cilin shihet qartë se edhe në nivelin e politikës, ekziston vetëdija për nevojën e shërimit të shoqërisë bashkohore, në krizë. Këtë ide e theksoi edhe drejtoresha e programeve të Këshillit të Evropës, Gabriela Bataini Dragoni: “Ne e shohim fenë si element themelor të identitetit tonë kulturor. Kjo tregon sa i nevojshëm dhe i domosdoshëm është dialogu konstruktiv dhe i vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve publike - si ndërkombëtare, ashtu edhe kombëtare apo lokale – dhe përfaqësuesve të feve të ndryshme, por me praninë edhe të shoqërisë civile e sidomos të botës së mediave. Tema qendrore ishte pikërisht roli i mediave në paqtimin e shoqërisë, pasi veprimtaria e gabuar e mediave mund të çojë në krijimin e paragjykimeve”.
Është dashur kohë për të arritur në ndërgjegjësimin e institucioneve për rolin e fesë në shoqëri, por siç thekson vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës, imzot Aldo Xhordano: “Sot, kemi një vetëdije të re për këtë përmasë. Gjatë këtyre viteve, edhe institucionet ndërkombëtare e kanë kuptuar rolin e fesë për popujt e për kulturat. Nëse para disa vjetësh, kjo temë nuk prekej, tani ekziston bindja se nuk mund të flitet për historinë, kulturën dhe identitetin e një populli, pa përmendur fenë. Në veçanti, për Evropën, nuk mund të mos flasim për krishterimin, sepse asnjë faqe e 2 mijë vjetëve të fundit të historisë evropiane nuk mund të kuptohet pa fenë e krishterë. Krishterimi e ka në gen përmasën e takimit me tjetrin, të respektit për tjetrin e më tej, edhe të dashurisë për tjetrin. Ai ka në qendër një ngjarje: Pashkët, me të cilat Biri i Zotit jep jetën për njerëzimin e kjo dashuri e tij konfirmohet më pas me Ringjalljen. Sa më shumë të jemi të vetëdijshëm për këtë identitet, aq më tepër do të jemi në gjendje t’i hapim vend tjetrit, kulturës dhe fesë së tij”.
Papa Akademive Papnore: studimi i martirëve të lashtë e përtërin sot vlerën e shembullit të tyre/Javës së kaluar, Akademitë Papnore u mblodhën në takimin e tyre të 16-të, për të reflektuar mbi temën: “Dëshmi dhe dëshmitarë. Martirët, kampionë të fesë”. Pjesëmarrësit diskutuan mbi rëndësinë e arkeologjisë për të zbuluar dëshmitë e fesë që në kohë të lashta. Në Mesazhin dërguar për këtë rast, kardinalit Gjanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, Papa Benedikti XVI nënvizon se të prekësh një gur të lashtë, ose të admirosh një mozaik të kohëve të largëta, mund ta bëjë të prekshme fenë. Pasi këto objekte arkeologjike – qofshin varre, apo afreske, apo objekte artizanati – kanë aftësinë t’i bëjnë të dukshme vendet, ku kanë ndodhur ngjarje si martirizimi i një të krishteri, ose episode nga jeta e një shenjti. Ati i Shenjtë vë në dukje se puna për të zbuluar historinë e krishterimit kërkon pasion e kompetencë, pasi gjurmët artistike e monumentale, që gjenden sidomos, në Tokën e Shenjtë dhe në Romë, tregojnë se Ungjilli u ka folur gjithnjë zemrave të njerëzve, konkretisht e pa kompromis. Në fund, Papa u jep çmimin e Akademive Papnore Kishtare “Studium Biblicum Franciscanum” të Jeruzalemit dhe arkeologes italiane Daria Mastrorili.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›