E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani në shtegun e luftës

04-12-2011 / Nga Joschka Fischer

Në mungesë të ndonjë shtegu funksional të angazhimit diplomatik amerikan me Iranin, barra e organizimit dhe e kryerjes së negociatave tejet delikate i ka mbetur Evropës. Mirëpo, liderët evropianë, gjë të cilën Irani e di fare mirë, kanë gjëra të tjera në mendjet e tyre

Berlin – Derisa Evropa mbetet e preokupuar me krizën e vet që po zhvillohet ngadalë dhe fuqitë e tjera botërore vazhdojnë të mbesin të hutuara me spektaklin bizar të përpjekjeve të shumta të zyrtarëve evropianë për shpëtimin e euros (e me të edhe të sistemit global financiar), retë e luftës janë duke u grumbulluar edhe një herë mbi Iran. Me vite të tëra, Irani është duke punuar në një program bërthamor dhe në prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, të cilat të shpijnë drejt vetëm një konstatimi: liderët e këtij shteti synojnë prodhimin e armëve bërthamore, apo të paktën e arritjes së pragut teknologjik, përtej të cilit do të kërkohej vetëm një vendim politik, për ta mbërritur cakun. Ky opsion i fundit natyrisht se do ta mbajë Iranin brenda suazave të Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT), të cilin edhe e ka nënshkruar. Megjithatë, synimet e udhëheqje iraniane janë fare të qarta, sepse në të kundërtën, programet bërthamore dhe ato raketore të Iranit do të ishin humbje e kotë parash. Edhe ashtu, Irani nuk ka nevojë për teknologji të pasurimit të uranit. Ky shtet ka vetëm një reaktor bërthamor civil, me tuba të Rusisë, derisa teknologjia iraniane që po prodhohet nuk mund të shfrytëzohet në to. Megjithatë, pasurimi i uraniumit bëhet shumë më i kuptueshëm, po qe se synimi është arma bërthamore, pasi që për atë synim, pasurimi është i domosdoshëm. Për më tepër, Irani është duke ndërtuar një reaktor të ujit të rëndë, që thuhet të jetë për qëllime hulumtuese, mirëpo i cili po ashtu është i domosdoshëm për ndërtimin e bombës në bazë të plutoniumit. Irani, duke shkelur NPT-në, ka fshehur pjesë të konsiderueshme të këtij programi. Shteti iranian po ashtu ka shpenzuar miliona dollarë në blerjet e paligjshme të teknologjisë së pasurimit dhe në dizajne të armëve bërthamore nga shkencëtari pakistanez, A.Q. Khan, “babai i bombës së Pakistanit”. Irani kishte tentuar që t’i fshihte këto transaksione për vite të tëra, mirëpo ishte demaskuar, pasi që Libia filloi të bashkëpunonte me Perëndimin dhe e zbuloi rrjetin e Khanit. Një Iran i armatosur me armë bërthamore do ta ndryshonte në mënyrë drastike balancën strategjik në Lindjen e Mesme. Në rastin më të mirë, një garë e armatimit bërthamor do ta rrezikonte këtë rajon tashmë jostabil, duke e vënë në rrezik NPT-në dhe duke pasur pasoja në mbarë botën. Në rastin më të keq, armatimi bërthamor do t’i vihej në shërbim politikës së jashtme “revolucionare” të Iranit, të cilin liderët e këtij shteti e kanë ndjekur që nga lindja e Republikës Islame, më 1979. Kombinimi i politikës së jashtme iraniane dhe e armatimit bërthamor është një ankth, jo vetëm për Izraelin, i cili ka kapacitete për të ndërmarrë sulm brenda disa sekondash, mirëpo edhe për shtetet arabe fqinje, si dhe Turqinë. Në të vërtetë, shtetet e Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite, ndihen më të kërcënuara nga Irani, sesa që ndihet Izraeli. Edhe profili evropian i sigurisë do të ndryshonte në mënyrë dramatike, po qe se Irani vë në duart e veta koka bërthamore dhe raketa me rreze të gjatë veprimi. Që të gjitha përpjekjet për negociata nuk kanë shpënë askund, derisa Irani ka vazhduar ta pasurojë uraniumin dhe ta përmirësojë teknologjinë e vet bërthamore. Sanksionet, ndonëse të dobishme, funksionojnë vetëm në aspektin afatgjatë, derisa ndryshimi i balancës të pushtetit brenda Iranit nuk pritet të ndodhë së shpejti. Për këtë arsye është vetëm çështje kohe para se fqinjët e Iranit dhe bashkësia ndërkombëtare të konfrontohem me dy opsione: ose ta pranojnë Iranin si fuqi bërthamore, ose ta kuptojnë se janë duke iu afruar një lufte. Presidenti Barack Obama tashmë e ka bërë të qartë se SHBA-ja nuk do ta pranojë Iranin si fuqi bërthamore nën asnjë rrethanë. E njëjta gjë vlen edhe për Izraelin dhe fqinjët arabë të Iranit në Gji. Viti i ardhshëm pritet që të jetë vendimtari. Qeveria izraelite kohë më parë ka sugjeruar se Irani do ta mbërrijë pragun kritik bërthamor brenda nëntë muajsh, derisa Irani mund të bëhet pikë kryesore e presidencialeve amerikane, gjatë nëntorit të vitit 2012. Po ashtu, është vështirë të paramendohet se Qeveria aktuale izraelite do të qëndrojë duarkryq, derisa Irani të bëhet fuqi bërthamore. Në anën tjetër, deklaratat për ndërhyrje ushtarake – të cilat, nën rrethanat aktuale, do të kufizoheshin në sulme ajrore – janë të ekzagjeruar. Ka dyshime rreth asaj nëse programi bërthamor iranian do të mund të eliminohej nga sulmet ajrore. Në të vërtetë, derisa pjesë të mëdha të botës do ta dënonin një sulm të tillë, ndërhyrja ushtarake do t’ia hapte rrugën diplomatike Iranit drejt prodhimit të një bombe iraniane. Më mirë që të mos e mendojmë fare se si do të mund të dukej Lindja e Mesme pas një konfrontimi të tillë. Forcat opozitare iraniane mbase do të ishin viktima e parë e aksionit ushtarak perëndimor, derisa në rajon, “Pranvera arabe” do të shtypej nga vala e solidaritetit me Iranin, duke u vënë kundër Perëndimit. Rajoni do të shkonte drejt dhunës dhe terrorizmit, në vend se të vazhdojë rrugën e transformimit. Efektet mbi ekonominë globale do të ishin po aq të mëdha, e të mos i përmendim fare pasojat humanitare. Një zgjidhje diplomatike e çastit të fundit duket se ka pak gjasa të ndodhë, duke e pasur parasysh se çështja bërthamore luan rol vendimtar në përçarjet brenda regjimit iranian, ku secili që favorizon kompromisin do të konsiderohej humbës. Për më tepër, liderët e Iranit duket se supozojnë se ky shtet është tejet i madh dhe tejet i fuqishëm për t’u mposhtur nga sanksionet apo sulmet ajrore. Shikuar historikisht, rruga drejt katastrofës zakonisht është shtruar me synime të mira dhe gabime të rënda në gjykim. Një gjë e tillë mund të ndodhë sërish më 2012, kur keqllogaritjet nga të gjitha palët mund të shpijnë drejt luftës apo një Irani bërthamor – e ka gjasa që të ndodhin të dyja. Eskalimi i mëtejmë i gjendjes në Lindjen e Mesme do të kulmojë shumë shpejt, po qe se nuk gjendet një zgjidhje diplomatike (apo po qe se diplomacia nuk arrin që së paku të blejë kohë). Fatkeqësisht, kjo e fundit ka pak gjasa të ndodhë gjatë vitit në vijim. Në mungesë të ndonjë shtegu funksional të angazhimit diplomatik amerikan me Iranin, barra e organizimit dhe kryerjes së negociatave tejet delikate i ka mbetur Evropës. Mirëpo, liderët evropianë, gjë të cilën Irani e di fare mirë, kanë gjëra të tjera në mendjet e tyre.

Autori, ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe nënkancelar gjatë viteve 1998-2005, ishte lider i Partisë së Gjelbër në Gjermani për pothuajse 20 vjet. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë “Project Sindycate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›