E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë nga një luftë atomike aksidentale

Share

Natën mes 25 dhe 26 shtatorit 1983, bota ishte përpara katastrofës bërthamore. Pak pas mesnatës, një satelit sovjetik njoftoi nisjen e 5 raketave interkontinentale nga SHBA. Do të duheshin 25 minuta që raketat të binin mbi Bashkimin Sovjetik. Por Stanislav Petrov, në atë kohë oficer në detyrë për shërbimin e paralajmërimit, i mbajti nervat. Numri i pesë raketave i dukej i pazakontë. Mendoi se do ishte një gabim i satelitit dhe vendosi që të mos lajmëronte autoritetet për sulmin e raketave amerikane.

Mesa duket Petrov e shpëtoi botën nga një luftë bërthamore. Nëse do kishte përcjellë alarmin, sovjetikët do ishin pak minuta përpara vendimit për një kundërsulm- ose në të kundërt raketat amerikane do shkatërronin bazat e tyre.

Në Lindjen e Mesme distancat janë shumë më të vogla dhe koha e paralajmërimit sigurisht më e pakët. Armatimi kërcënues bërthamor i Iranit dhe lajmet e publikuar në Spiegel për nëndetëset bërthamore izraelite, po bëjnë që ekspertët të paralajmërojnë sërish për mundësinë e një lufte atomike.

Koha mes nisjes dhe goditjes së një rakete atomike ngushtohet ndoshta në 15 minuta në Lindjen e Mesme, thotë eksperti amerikan i armatimeve, Hans Kristensen.

Madje nuk dihet nëse shtetet do jenë në gjendje të bëjnë përgatitjet, ose edhe të zbulojnë se raketa është nisur, thotë ai. Izraeli është më i aftë në këtë drejtim, Irani më pak. E paqartë është nëse raketat atomike të Izraelit do të nisen kur raketat e kundërshtarit të jenë në ajër, apo kur Izraeli ta kuptojë se një sulm është i pashmangshëm.

Për të kuptuar sa të rëndësishme janë këto, e tregoi lufta e Yom Kippur në vitin 1973, kur Izraeli pas një sulmi të befasishëm të Egjiptit dhe Sirisë ishte në prag të mposhtjes. Shefja e qeverisë, Golda Meir bëri gati 13 bomba atomike, secila me 20 kiloton TNT me fuqinë pak a shumë të bombës së Nagasakit.

Episodi ka treguar se territori i Izraelit është aq i vogël, sa edhe një sulm me armë konvencionale mund të sjellë mposhtjen e shpejtë. Vendi nuk ka një territor ku mund të tërhiqet e në këtë rast mund të përdorë si kundërsulm armët bërthamore.

Distanca e shkurtër dhe koha e pakët në dispozicion për të reaguar të kujtojnë Europën gjatë Luftës së Ftohtë. NATO kishte planifikuar atëherë përdorimin e armëve bërthamore për të sulmuar të parët mbi Ushtrinë e Kuqe. Ishte një realitet i pashprehur, por ishte një realitet i hidhur, shkruante ish- senatori amerikan, Sam Nunn dikur.

Arsyeja pse do veprohej kështu nuk ishin armët bërthamore të sovjetikëve, por potenciali masiv i mundësive konvencionale të Ushtrisë së Kuqe në Europë.

Situata e Izraelit- një vend i vogël i rrethuar nga kundërshtarët- ngjan me Europën në kohën e Luftës së Ftohtë. Nëndetëset bërthamore të marra në Gjermani do i shërbejnë Izraelit për të reaguar në mënyrë shkatërrimtare nëse vendi është pushtuar tashmë.

Ajo që është shqetësuese më shumë është nëse liderët e këtyre vendeve dhe personeli ushtarak do jenë në gjendje të arsyetojnë siç duhet për të shmangur atë që Kenedi e pati quajtur gabimi i fundit.

*Marrë me shkurtime nga Der Spiegel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›