Tjetër VRASJE, tjetër i ekzekutuar brenda në makinë
(E PERDITESUAR)- Ditët e fundit janë mbushur me krime. Një tjetër person është ekzekutuar sot në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës. Njësoj si në Mamurras, edhe në këtë rast viktima është ekzekutuar brenda në makinën e tij. Autorët i kanë zënë pritë dhe e kanë qëlluar. Më pas dyshohet se e kanë djegur automjetin me të cilin janë larguar.
Viktima është Ervis Dedej, 30 vjeç raporton Ora News. Policia thotë se ai kishte precedentë penalë, pasi pak kohë më parë ka plagosur një femër.
Mësohet se trupi i pajetë i viktimës është gjetur në një makinë tip BMW me targa AA 481 CT, në një rrugë dytësore, ndërsa identifikimi i tij u bë në bazë të një mjeti identifikues që u gjet në makinë.
Kjo është hera e dytë brenda javës që në të njëjtën zonë ndodh një vrasje. Mbrëmjen e 31 majit, 44-vjeçari Skënder Spahia u qëllua në daljen nga apartamenti i tij në zonën e plazhit.
Vala e vrasjeve ka tronditur vendin dhe ka ngritur dyshime të mëdha në lidhje me gjendje e sigurisë, ndërsa vetëm në javën e fundit, gjashtë shtetas kanë mbetur viktimë të sulmeve me armë zjarri.
