E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen drejtuesit e Azotikut të Fierit pas skandalit të publikuar nga Tema për vjedhjen e skrapit

Share

Katër zyrtarë të drejtorisë së Azotikut të Fierit, mes të cilëve edhe drejtori i institucionit, janë arrestuar nga policia e qarkut Fier, me akuzën e tentativës për vjedhje skrapi. Ferdinand Doksani me detyrë drejtor, Julian Hoxha jurist, Sotiraq Llazi magazinier si dhe Ali Licaj përgjegjës i rojeve kane bashkëpunuar për të vjedhur ne magazine e ndërmarrjes një sasi skrapi vlera e të cilit arrinte në 11 milion leke. Ndërkohë po hetohet ne gjendje te lire edhe financierja e kompanisë, e cila akuzohet për shpërdorim detyre.

Skandalin e rëndë e pati denoncuar e para gazeta Tema në shtator të vitit të shkuar. Më pas ishte televizioni Top Channel që solli pamjet e kësaj zhvatje. Deputetët e opozitës me pas ngritën zërin për këtë problem në Kuvend dhe në media. Pas denoncimit të këtij skandali dhe emrit të Nar Kokës, i cili qëndronte pas tij, në drejtim të gazetës Tema erdhën kërcënime.

Si ka nisur historia e këtij tenderi?

Historia nis me një tender për blerje skrapi që organizoi në fillim Albpetrol. Fituesi i këtij tenderi ishte paracaktuar nga ndërhyrjet e Ilir Metës dhe konkurrenti kryesor në këtë tender, kompania Ku&Ko, u detyrua të tërhiqej pas një takimi me Ilir Metën në vilën e Lalzit. Drejtuesi i kësaj kompanie ia ka konfirmuar gazetës takimin, dhe një premtim të Ilir Metës se do ta shikonte mundësinë ti jepte kësaj kompanie një tender në një kohë të afërt. Bëhej fjalë për tenderin e skrapit të Azotikut. Me sa duket ka pasur histori pazaresh për këtë tender, dhe në fund kompania Ku&Ko nuk e mori tenderin.

Atë e fitoi formalisht me letra kompania turke KURUM, me përfaqësues në terren zotin Leonard Koka, vëllai i deputetit të LSI, Lefter Koka. Kjo mund të verifikohet lehtë pasi ai ka lënë gjurmë në këtë proces përmes firmosjes së faturave dhe kontakteve me policinë e Fierit. Gazeta Tema disponon dhe filmime të procesit të punës dhe njerëzve që janë përfshirë në këtë histori.

Skandali është se firma Ku&Ko, e drejtuar nga Fehmi Gjuda, ofroi rreth 500 milionë lek më shumë se Kurumi për ta blerë skrapin, por u skualifikua.

Skandali financiar

Skandali financiar dhe dëmi i pallogaritshëm që i shkaktohet shtetit është se skrapi po blihet me një vlerë qesharake prej 0.96 lek, kurse në treg shitet me 40 lek, pra rreth 40 herë me lirë. Në vlerë reale pasuria publike po zhduket në këtë rast me 2,5 për qind të vlerës së saj. Kjo është një humbje e pallogaritshme, e cila shkon e gjitha në xhepat e tregtarëve të lidhur me LSI, e cila e konsideron pasurinë kombëtare pronë të LSI dhe interesave klienteliste të saj. Në këtë proces është përfshirë dhe Policia e Shtetit, e cila lejon kamionë me mall kontrabandë skrapi të lëvizin jashtë rregullave në akset rrugore.

Edhe pse konkurrenti e ka paditur çështjen në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe e ka fituar aty, askush nuk e respektoi urdhrin e saj për pezullim tenderi. Zbatimi i kontratës ka filluar menjëherë pa pritur afatet ligjore të ankimimit në APP.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›