Frikë për projektligjin Për Teatrin
Artistët në Kosovë dalin kundër projektligjin për teatrin. Ata i janë drejtuar autoriteteve të kuvendit të Kosovë i cili do të thotë fjalën e fundit për këtë ligj të hartuar nga Ministria e Kulturës. Nënshkruesit e peticionit vërejnë se projektligji jo vetëm që nuk i përmbush e as nuk i respekton normat juridike e kriteret dhe standardet profesionale ndërkombëtare, por cenon dhe e rrezikon rëndë teatrin dhe përgjithësisht jetën krijuese teatrore në Kosovë
Nënshkrues të peticionit janë edhe shumë artistë nga Shqipëria, aktorë e regjisorë, Yllka Mujo, Stefan Çapliku, Ema Andrea etj., të cilët me shtimin e marrëdhënieve në fushën e kulturës mes Kosovës e Shqipërisë, e shohin këtë ligj si të keqe të përbashkët. Protestuesit kujtojnë se ky projektligj nuk është hedhur për debat publik duke injoruar komunitetin artistik. Sipas tyre, ky projektligj e rrënon idenë për teatrin si një medium i pavarur artistik dhe, në vend se ta çlirojë atë nga monopoli politik dhe burokratik i MKRS-së, e thellon edhe më shumë këtë monopolizim, duke i dhënë Ministrit të Kulturës kompetenca dhe ekskluzivitet mbi jetën teatrore në vend. Një çështje tjetër e kritikueshme është diskriminimi që u bëhet me këtë ligj trashëgimisë dramaturgjike botërore, sepse e mbyll, e izolon dhe e bunkerizon teatrin kosovar, duke e imponuar dhe sanksionuar ligjërisht, në një proporcion diskriminues, mbizotërimin e dramaturgjisë vendore kundrejt dramaturgjisë botërore. Kjo duhet të shërbejë edhe si kambanë për artistët në Shqipëri sepse përherë e më shumë dëgjohen zëra për përmbysjen e raporteve në favor të dramaturgjisë shqipe në repertorët e teatrove shqiptarë.
Artistët tërheqin vëmendjen edhe për diskriminimin që projektligji i bën teatrove të qyteteve, duke i privuar ato nga e drejta e shfrytëzimit të fondeve nga buxheti i MKRS-së dhe duke i lënë ato në mëshirën e buxheteve të vogla komunale.
N ë Shqipëri historia e Projektligjeve Për Teatrin – për më shumë se një dekadë, – nuk gjeti qetësi veçse në nëntor 2010 kur u miratua Ligj Për Artin dhe Kulturën. Por po shohim se në emër të parimeve reformues të këtij ligji politika e qeverisëse po kalëron si do ajo.
E.Demo