Karnavalet e Pavarësisë
Me sloganin 100 vjet pavarësi – 100 orë karnavale festohen karnavalet këtë vit në Shkodër. Programi shtrihet në 100 orë, prej të shtunës në të martë. Qytetarë të shumtë janë grumbulluar në sheshin qendror të qytetit. Në hyrje të pedonales është ndërtuar një urë simbolike Shqipëri-Europë. Nxënës të shkollës së mesme artistike Prenk Jakova kanë ekspozuar punimet e tyre në pikturë, ndërsa në pika ambulante janë tregtohen pije e ëmbëlsira. Pasdite nga drejtime të ndryshme të qytetit kanë mbërritur në qendër nxënës të veshur me veshje karnavalesh, të cilët kanë performuar në ritmet e muzikës. Banda e qytetit dhe të disa grupeve artistike mes të cilëve grupi Kaltërsia ka prezantuar një performancë për 100 vjetorin e pavarësisë. Festa ka vazhduar në lokalet e qytetit. Në ditën e dytë, e quajtur Shëtitja e Karnavalit njerëzit janë nisur nga sheshi 2 Prilli dhe Parku i Shatërvanit me karrot alegorike dhe karvanët që kanë parakaluar përgjatë Sheshit të Parrucës drejt Bexhistenit ku janë pritur nga kalorësit. Kalaja Rozafa dhe Ura e Bunës janë dy vende ku karnavalet bëjnë ndalesën e ku tregtohen produkte ushqimore, petulla, qebap, verë, birrë etj. Sot, dita e tretë, karnavalet u kushtohen fëmijëve dhe është parashikuar grumbullimi i tyre në sheshin qendror Luigj Gurakuqi pranë urës Shqipëri-Europë. Aty performojnë me maska e veshje karnavalesh fëmijë të qendrës kulturore Pjetër Gaci, grupet e gjimnastëve etj.
Dita e katër që quhet Karnavali në flakë fton qytetarët në qendër të Shkodrës aty ku bëhet dhe djegia e dordolecit por jo pa kryer njëherë parakalimin me bejte e muzikë nëpër rrugët e qytetit. Në mbrëmje, në teatrin Migjeni zhvillohet mbrëmje gala me maska. Gjatë 100 orëve të karnavaleve zhvillohen konkurse të hapura dhe jepen çmime përkatëse për realizimet më të mira në pikturë, fotografi, bejte, për çiftin më të bukur të karnavaleve etj.
A. Dushi