Frikë prej azilantëve
Optimistë se fundi i këtij viti do ta gjejë Kosovën të gatshme për procesin e liberalizimit të vizave, zyrtarët qeveritarë kanë bërë të ditur se janë në finalizim e sipër të raportit të gatishmërisë së institucioneve shtetërore për heqjen e regjimit të vizave.
Madje, sipas koordinatorit teknik për liberalizimin e vizave në Ministrinë e Integrimeve Europiane, Besnik Vasolli, inputet e institucioneve do të dorëzohen dy javë para afatit të përcaktuar nga Komisioni Europian.
“Më 1 shtator do ta dërgohet raporti me gjitha materialet përcjellëse, ligjet, aktet nënligjore, strategjitë të cilat janë pjesë e udhërrëfyesit, ndërsa më 15 shtator do ta dërgojmë edhe një pjesë shtesë, ku do të informojmë me të arriturat më të reja në këtë proces”, ka thënë ai të dielën.
Se a është Kosova realisht e gatshme t’i hyjë këtij procesi apo jo do ta thotë vetë KE’ja, që pritet të japë vlerësimin dhe rekomandimet e saj për përmbushjen e 95 kritereve të udhërrëfyesit.
Udhëheqësit qeveritarë vazhdimisht pohojnë se janë gati për t’ia mësyrë kësaj pune.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, madje ka thënë se Kosova qëndron shumë më mirë se vendet e rajonit në këtë proces, duke hequr dilemat rreth vlerësimit të KE’së.
“Ne i kemi përgatit të gjitha dhe më 15 shtator jepet vlerësimi dhe e dimë me siguri që ka me qenë shumë pozitiv, sepse jemi më mirë sesa kanë qenë vendet në rajon, por duhet të presim”, ka thënë Rexhepi të dielën për Express.
Ky i fundit së bashku me Ministren e Integrimeve, Vlora Çitaku, javë më parë në një konferencë për media patën deklaruar se nuk do të ketë as pengesa politike për liberalizimin, pavarësisht mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga pesë shtetet të Bashkimit Europian.
Por, sipas Ministrit Rexhepi, e vetmja gjë që do të mund ta rrezikonte procesin është numri i madh i azilkërkuesve kosovarë.
“Ka disa fusha të vështira si ajo e sigurisë, rendit dhe ligjit ku ne kemi arritur sukses, mirëpo numri i azilkërkuesve, që është shumë i madh, është rreziku ma i madh që i kanoset procesit”, ka thënë Rexhepi.
Një gjë të tillë e vërtetojnë edhe statistikat për azilkërkuesit.
Në bazë të raportit të fundit të Entit gjerman të Migracionit, Kosova radhitet në pozitën e nëntë në listën e vendeve burime për azilkërkues. Kështu ajo është futur në një thes me Sirinë, Irakun, Iranin, Afganistanin, Serbinë, Rusinë, Pakistanin, Turqinë dhe Maqedoninë.
Në bazë të po atij raporti, vetëm në korrikun e këtij viti në Gjermani kanë kërkuar azil 152 kosovarë, që janë katër më pak sesa në qershor të këtij viti. Ndërkaq në total gjatë shtatë muajve të parë të 2012’ës vetëm në Gjermani, azil kanë kërkuar 856 shtetas të Kosovës.
Shifra të tilla ndërkohë, sipas zyrtarëve të ndryshëm, mund të ndikojnë në afatin kohor të përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave.
Zyrtarët qeveritarë madje vazhdimisht po bëjnë thirrje tek qytetarët që të kontribuojnë në procesin, duke e kuptuar që heqja e vizave nuk nënkupton azil politik apo ekonomik.
Aktualisht, Kosova është i vetmi shtet në rajon ndaj të cilit ka regjim vizash.
Në rajon heqja e këtij regjimi ka ndodhur në vitin 2009 për shtetasit e Maqedonisë e Serbisë.
Por, shtetet e BE’së, pas këtij vendimi u ndeshën me një valë emigrimi ilegal duke i bërë ato që ta rimendojnë tërë programin.
Një vit më vonë, më 2010, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja gjithashtu iu bashkuan listës së lëvizjes së lirë.
Sipas raportit më të fundit të Kombeve të Bashkuara, publikuar në mars të këtij viti, Serbia dhe Kosova, që ende klasifikohen bashkë nga OKB, ishin radhitur si burimi i katërt më i madh në botë për azilkërkues.
Diku 21 mijë njerëz kishin aplikuar nga të dyja vendet, 41 për qind e të cilëve kryesisht kosovarë.