Frikësohet në start

Mandati i misionit monitorues të OKB’së skadoi javën e kaluar. Këtë të shtunë ndërkaq Damaskun e braktisi edhe shefi i tij, gjenerali Babacar Gaye.
Misioni i cili që nga muaji prill po e monitoronte ndërprerjen e armiqësisë mes palëve dhe armëpushimin – që nuk ndodhi kurrë – në muajin qershor i kishte ndërprerë plotësisht patrullimet, për shkak të dhunës që po rritej vazhdimisht.
E, gjatë takimit që pati të shtunën me sekretarin e përgjithshëm të OKB’së, Ban Ki-moon, i deleguari i ri i OKB’së dhe i Ligës Arabe për Sirinë, diplomati algjerian, Lakhdar Brahimi, deklaroi se “është i nderuar dhe i prekur” me misionin e ri, por edhe “i frikësuar” nga ajo që e pret.
Sipas fjalëve të Ban Ki-moon, “detyrë kryesore [e Brahimit] do të jetë sigurimi i paqes dhe i stabilitetit, dhe respektimi i të drejtave të njeriut në Siri”.
Brahimi ndërkaq deklaroi se prioritet i tij do të jetë populli sirian.
“Populli sirian do të jetë mbi të gjitha. Interesin e tij do ta vendosim mbi gjithçka tjetër. Do të mundohemi të ndihmojmë aq sa do të mundemi”, u shpreh diplomati sirian, i cili ishte përfaqësues i OKB’së edhe në Afganistan dhe Irak.
I deleguari i ri i OKB’së, Lakhdar Brahimi, është 78-vjeçar. Në postin e shefit të diplomacisë algjeriane qëndroi prej vitit 1991 deri më 1993. Nga viti 1994 punoi në OKB, ku deri në vitin 2005 ndërroi disa poste, derisa nuk u pensionua. Njihet për atë se, si i dërguar i Ligës Arabe ndihmoi në përfundimin e luftës qytetare në Liban.
Sipas të dhënave të Observatorit opozitar sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH), që nga fillimi i kryengritjes kundër regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, në mars të vitit 2011, si pasojë e konfliktit në këtë vend kanë vdekur 25,000 njerëz, shumica e të cilëve civilë. Ndërkaq, sipas të dhënave të Komisariatit të Lartë për Refugjatë të OKB’së, (UNHCR), në shtetet fqinje deri tani kanë ikur mbi 200,000 njerëz.
Zgjidhja e krizës siriane nuk duket askund në horizont, meqenëse bashkësia ndërkombëtare vazhdon të mbetet e ndarë. Perëndimi kërkon që Bashar al-Assad të largohet nga pushtetit, kurse Rusia dhe Kina angazhohen për dialog mes pushtetit dhe optikës siriane.
Në terren, forcat e regjimit dhe kryengritësit ndërkohë i kanë intensifikuar luftimet në Aleppo, që konsiderohet qendra më e madhe ekonomike siriane, ku ka mbi një muaj që po zhvillohen luftime të ashpra.
"Shumica e njerëzve janë larguar” nga ky qytet verior i Sirisë, deklaroi një luftëtar i paemëruar nga radhët e kryengritësve.
"Ne po mundohemi t’iu ndihmojmë atyre që ende ndodhen këtu, sepse të gjithë ata po na mbështesin”, sqaroi ati tutje.
Aeroplanët sirianë bombarduan të shtunën lagjet që vazhdojnë të mbesin nën kontroll të plotë të kryengritësve.
Veç kësaj, raportohet se forcat e regjimit po bombardojnë edhe qytetet e tjera që konsiderohen si bastione të kryengritësve, si Geraa, i cili ndodhet në jug të vendit, disa qytete në krahinën Idleb, në veriperëndim të Sirisë, si dhe qytetin Hama, i cili shtrihet në qendër të vendit. Sipas OSDH, vetëm gjatë tri javëve të fundit në Siri janë vrarë 4,000 njerëz.
Sipas kësaj organizate,vetëm gjatë ditës së premte, si pasojë e luftimeve në Siri, janë vrarë 185 njerëz, prej të cilëve 115 civilë, 26 ushtarë dhe 34 kryengritës.
Masakra e re, në xhami
Gjatë të shtunës dhe të dielës në qytetin Daraya, që shtrihet në periferi të Damaskut, janë gjetur trupat e të paktën 320 viktimave, të vrarë gjatë një sulmi të fuqishëm të ushtrisë ndaj kryengritësve, njoftoi të dielën Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut. Për “masakrimin e tyre”, aktivistët sirianë akuzuan ushtrinë e regjimit në Damask.
Në një video të tmerrshme, të publikuar nga kryengritësit sirianë, shihet një grumbull kufomash të mbledhura mes mureve të kompleksit të xhamisë Abu Sulaiman Addarani, në Daraya, menjëherë pas përfundimit të ofensivës së forcave ushtarake për thyerjen e kryengritësve të pozicionuar në periferitë e kryeqytetit sirian.
Komitetet lokale të koordinimit, gjegjësisht rrjeti i aktivistëve sirianë në terren, ngjarjen e përshkruan si “një masakër” të kryer nga regjimi i Bashar al-Assad. Sipas tyre, banorët e Daraya janë ekzekutuar në grupe, dhe pastaj janë djegur.
Nga ana tjetër, sipas televizionit shtetëror sirian, Daraya, që është një qytet me rreth 200,000 banorë, kryesisht sunnitë, “është pastruar nga mbeturinat kryengritëse”.
Gjakderdhja e së shtunës vjen vetëm një ditë pas emërimit të të dërguarit të ri të OKB’së për Sirinë, Lakhdar Brahimi.
Autoritetet siriane i kanë thirrje të dielën Brahimit që të mos e ndjekë rrugën e paraardhësit të tij, Kofi Annan, i cili s’bëri gjë tjetër pos “përuljes para presioneve të SHBA’ve dhe Perëndimit”.