Ikonat e klubeve

Javier Zanetti shënoi paraqitjen e tij të 800-të për Interin. Por, një shënim i jashtëzakonshëm nga koha e sotme është se ka edhe të tjerë futbollistë aktivë më besnikë se ai.
“Jam krenar dhe i nderuar që kam arritur të luaj një numër kaq të madh ndeshjes e aq më tepër për një klub prestigjioz si Interi”, deklaroi Zanetti pas ndeshjes kundër Vasluit të enjten në play-off për kualifikim në Europa League. Argjentinasi 39 vjeç e filloi aventurën e tij me Nerazzurrët para 17 vitesh, kur luajti në fitoren 1-0 kundër Vicenzas në Serie A më 27 gusht, 1995 pas ardhjes në klub nga Banfield, skuadër nga Buenos Aires.
Tregimi i tij është për çdo lëvdatë, sidomos në trendin e sotëm kur futbollistët shpesh ndryshojnë ambientin. Rekordmen absolut për stazhin e kaluar në një klub, së paku nëse shikojmë nivelin më të lartë të garave, është Paolo Maldini. Ai ishte anëtar i Milanit nga 1985 deri më 2009 dhe bëri 902 paraqitje me Rossonerët.
Bashkëlojtari i tij i dikurshëm Franco Baresi kaloi 20 vite në Milan (25 nëse llogaritet edhe koha si junior) e interesant është se klubit iu bashkua nga rivali Inter, ku legjendë është vëllai i tij më i madh Giuseppe. Më së afërmi rekordit të Maldinit ishte anglezi Bob Crompton, i cili luajti në Blackburn nga 1896 deri më 1920 dhe gjermani Max Morlock, i cili mes 1940-1964 u paraqit për Nurnbergun.
Vlen të përmendet edhe Drazen Ladic, i cili nga viti 1986 deri më 2000 bëri 802 paraqitje për Dinamon, e që së paku edhe disa ditë qëndron para Zanettit, edhe pse kishte stazh tri vjet më të shkurtër.
Alessandro del Piero kaloi 19 vite në Juventus, por u largua nga klubi gjatë kësaj vere me synim të vazhdojë karrierën diku tjetër, pas skadimit të kontratës së tij me gjigantin torinez. Por, në mesin e futbollistëve aktivë ka ende të atillë që i janë besnikë klubeve të tyre.
1. Rogerio Ceni
Portieri 39 vjeç i skuadrës braziliane Sao Paulo është anëtar i klubit që 22 vite e shtatë muaj. Gjatë kësaj periudhe ai ka realizuar më tepër se 100 gola (të gjitha nga goditjet e lira dhe penalltitë) dhe Federata Ndërkombëtare për Histori dhe Statistika në futboll (IFFHS) e konsideron si portierin me numrin më të madh të golave të realizuara në histori. Ceni më herët gjatë këtij muaji bëri paraqitjen e 1000-të për Sao Paulon.
2. Ryan Giggs
909 paraqitje dhe 163 gola për Manchester United, kurse ende vazhdon numërimin. Giggs me 21 vjet e 9 muaj në Old Trafford është aktualisht futbollisti më besnik në Premierligë. Paul Scholes e ndjek nga pas, ai debutoi për ekipin e Fergusonit gati dy vite më vonë, kurse qëndrimi në skuadër (pa pensionimin e vitit të kaluar) numëron 18 vite e gjysmë.
3. Francesco Totti
Futbollist i cili në karrierën e deritashme të gjatë 19 vite e 7 muaj ka refuzuar shumë oferta e te Roma e tij erdhi si 13 vjeç dhe tani konsiderohet sinonim i klubit. Totti ka insistuar se nuk ka ndërmend të braktisë gjigantin nga Olimpico, ku planifikon të luajë deri në fund të karrierës së tij.
4. Oleksandr Shovkovskiy
19 vite e 1 muaj në Dinamon e Kievit, 547 paraqitje dhe 409 gola të pranuara. 92 paraqitje për Ukrainën, këto janë deri më tani statistikat e 37 vjeçarit Oleksandr Shovkovskiy. Ai është rekordmen absolut sa i përket paraqitjeve në klub.
5. Oka Nikolov
Më së paku i njohuri nga kjo listë, maqedonasi Nikolov lindi në Gjermani dhe vetëm pesë herë luajti për përfaqësuesen e prejardhjes së tij (për herë të fundit para 11 vitesh). 38 vjeçari Nikolov është portier i Eintracht Frankfurtit nga viti i largët 1994, edhe pse nuk ka qenë gjithmonë zgjedhja e parë, e nuk është as sot. Ai vazhdon të jetë aty.