Fronëzohet kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fortlumturia e Tij, Joani

U zhvillua sot ceremonia e fronëzimit të kryepeshkopit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në kryeqytet.
Pasardhësi i kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos, imzot Joan Pelushi, nis nga sot rrugëtimin në detyrën e re sa administrative, aq edhe shpirtërore.
Para klerikëve shqiptarë e ndërkombëtarë dhe besimtarëve ortodoksë, Presidenti Bajram Begaj uroi Fortlumurinë e tij Joan për ngjitjen në fronin më të lartë të Kishës, duke e quajtur këtë ditë si historike për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe për gjithë shoqërinë shqiptare.
“Qofshi një udhëheqës që ndërton ura, që nxit bashkëjetesën, që forcon besimin, që përhapni dashuri, paqe, shpresë dhe drejtësi mes njerëzve! Zoti qoftë me ju në çdo hap të këtij udhëtimi fisnik!” uroi Presidenti i Republikës.
Fronëzimin e Kryepeshkopit Joan, Presidenti Begaj e cilësoi si një kapitull të ri në jetën shpirtërore të vendit, që nis me shpresë, me besim dhe përgjegjësi, teksa njëkohësisht shprehu mirënjohje ndaj Kryepeshkopit të mëparshëm, Anastas, për shërbimin me urtësi dhe përkushtim. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë solemne, Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e etërve të Kishës për ruajtjen e Autoqefalisë dhe kontributin patriotik e atdhetar të tyre përgjatë procesit të shtetformimit dhe në vitet e errëta të regjimit diktatorial.
Presidenti i Republikës theksoi, gjithashtu, rëndësinë që ka kisha, jo vetëm si institucion fetar, por edhe si një udhërrëfyese dhe mbrojtëse e vlerave shpirtërore, kulturore e kombëtare.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë edhe personalitete të larta shtetërore.
Kryepeshkopi Joani ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit Kryepeshkopit Anastas për 32 vjet, nga të cilat 27 vite si Mitropolit i Korçës. Ai është dalluar për veprën e tij baritore dhe kontributin në rindërtimin e Kishës, zhvillimin e arsimit teologjik dhe forcimin e veprimtarive bamirëse të Kishës.
I diplomuar me rezultate të shkëlqyera në studimet teologjike në SHBA, ai u kthye në Shqipëri për të kontribuar përkrah Kryepeshkopit Anastas në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar të Shqipërisë. Që nga viti 1993 ka shërbyer si profesor në Akademinë Teologjike të Durrësit, përkthyes i shumë teksteve teologjike dhe autor i tekstit të parë të Dogmatikës në gjuhën shqipe. Ai themeloi revistën “Tempulli”, përfaqësoi Kishën në takime ndërortodokse dhe ndërkristiane dhe është nderuar me tituj të spikatur për kontributin e tij në kulturë, arsim dhe dialog ndërfetar.
/rtsh.al/