Fronti Opozitar, Nikolla e Xibri te Rama për platformën
09/02/2010 Lidershipi socialist takime me grupet e interesit
Në vijim, bisedime dhe me Shoqatën e Ushtarakëve dhe Pensionistëve
Lidershipi socialist intensifikon takimet për krijimin e Frontit Opozitar. Gjatë ditëve të fundit, kreu i PS-së, Edi Rama, ka zhvilluar takime me përfaqësues të shoqërisë civile, për të diskutuar mbi çështjet që do të përfshijë platforma me të cilën do të përfaqësohet Fronti për Shqipërinë në oponencën e tij ndaj mazhorancës qeverisëse. Kështu, burime pranë selisë rozë bënë me dije se brenda javës do të jetë gati një platformë e tillë. Por kjo pas takimeve me të gjitha grupet e interesit, të cilat ndajnë të njëjtin mendim me Partinë Socialiste për gjendjen ku ndodhet vendi, krizën politike, sikundër ajo ekonomike, por dhe për hapat që do të ndiqen në vijim nga kampi i majtë.
Takimi
Kryetari socialist Edi Rama dhe kreu i asamblesë kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, kanë zhvilluara takime të veçanta gjatë paradites së djeshme me kreun e Shoqatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri dhe me përfaqësuesin e Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla. Burime pranë kësaj partie bënë me dije se këto takime, të cilave u kanë kanë paraprirë dhe takime të mëparshme me lidershipin socialist, janë përqendruar pikërisht te çështjet më të prekshme për këto grupe interesi. Konkretisht, te çështjet e pronave të sindikatës, te kërkesat e minatorëve, në krizën ekonomike, çështje këto që pritet të përfshihen në platformën që do të hartojë Fronti Opozitar. Ndërkohë që mësohet se pas dy ditësh do të jetë e mundur që të bëhet publike e gjithë përmbajtja e kësaj platforme. Por më parë lidershipi socialist do të zhvillojë takime dhe me drejtuesit e Shoqatës së Pensionistëve, të Ushtarakëve, me krerët e majtë, për të konkluduar në një vendim përfundimtar mbi përmbajtjen e kësaj platforme.
Qëndrimi
Në qendër të të gjithë aksionit të ri politik të ndërmarrë nga kampi opozitar do të jenë pikërisht protestat, ku pritet të bashkojë të gjithë popullin socialist dhe atë opozitar majtas e djathtas. Madje, ky është synimi i lidershipit socialist, ku përmes krijimit të Frontit për Shqipërinë, të bëjë të mundur zgjerimin e aleancës mes partish edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, shoqata, duke u radhitur pranë PS-së, ku njëkohësisht pranohet dhe mbështetet e gjithë fryma që po përhap kjo parti. Gjithashtu, në ndihmë krijimit të këtij fronti po i vjen dhe turi i kreut të PS-së, Edi Rama, ku gjatë takimeve synohet të përçohet qartë syimi që kërkon të arrijë kjo parti.
Sajmir Tahiri
“Në fund të karrierës së tij politike, i bëjmë thirrje Kryeministrit Berisha të lërë xhirot e dimrit e lojërat me topa bore, të ulet pa kushte absurde në tryezën e dialogut e të bëjë gjithçka është e mundur për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës politike dhe institucionale, krizës së demokracisë e shtetit të së drejtës, si dhe krizës ekonomike e sociale që po mbyt shqiptarët dhe sipërmarrjen private. Kryeministri të jetë i sigurt se në pensionin që po i afrohet, do të ketë kohë të mjaftueshme t’i dedikohet notit, gjuetisë, alpinizmit, lojës me borën, relaksit e çdo qejfi tjetër. Sa ka kohë në detyrë, të bëjë detyrën”.
Ilir Beqja
“Sali Berisha kërkon të luftojë korrupsionin e mjekëve, por nuk përmbush asnjë angazhim për të furnizuar spitalet e qendrat shëndetësore me barna dhe me pajisje ekzaminuese, për të furnizuar laboratorët me reagentët e nevojshëm. Nuk u jep asnjë shpresë mjekëve se do të krijojë kushte që ata të ushtrojnë të qetë profesionin e tyre, asnjë angazhim se ata do të operojnë në salla ku nuk ka stafilokok. Mjeku Sali Berisha, edhe pas shumë vitesh në krye të punëve të vendit, ende nuk e ka kuptuar se reformat nuk zgjidhen me forcë dhe se reformat nuk janë një task. Task Forca mund të vlejë për të prerë lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, por jo për të reformuar.”