Abuzonte me ndarjen e barnave për pacientët
09/02/2010 QSUT, shkarkohet nga puna ndihmës-farmacisti
Pushohet nga puna ndihmës-farmacisti i shërbimit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Hysni Bajrami. Pas kontrolleve të ushtruara në farmacinë e spitalit për shkak të parregullsive të gjetura në shpërndarjen e barnave për pacientët drejtoria e kësaj qendre spitalore ka vendosur marrjen e masës ndëshkuese ndaj ndihmës-farmacistit. Punonjësi i farmacisë ka realizuar një sërë shkeljesh që kanë të bëjnë jo vetëm me korrigjimin e faturave mjekësore të barnave me vlera të konsiderueshme lekësh, por edhe me mosaplikim tek pacientët i sasisë së mjaftueshme të medikamenteve, si dhe me mospërputhjen e arsimit me nivelin terciar të QSUT-së. Ky vendim i marrë nga drejtoria e spitalit mbështetet edhe në një sërë dokumentesh të tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky i fundit ka vendosur një gjobë prej disa milionë lekësh për shkak të parregullsive në farmacinë ku ai punon. Ndërkaq drejtoria e QSUT-së njofton se do të ketë të tjera kontrolle dhe inspektime edhe në punën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit shëndetësor dhe administratës. Për këdo që do të konstatohen shkelje me detyrën, masa administrative do të jetë e menjëhershme konform ligjeve në fuqi.