Pasuritë e sindikatave, Kushtetuesja nis gjykimin
09/02/2010 Ligji është animuar nga katër subjekte të interesuara
Sindikatat shqiptare kërkojnë shfuqizimin dhe pezullimin e tij
Gjykata Kushtetuese do të nisë sot shqyrtimin e kërkesës ankimore të disa subjekteve të interesuara për ligjin që rregullon pasuritë e sindikatave. Katër subjekte të interesuara i janë adresuar Kushtetueses, me qëllim rrëzimin e këtij ligji si antikushtetues. Sindikata e Pavarur e Transportit, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, dhe Sindikata Rajonale Elbasan kanë depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese kërkesën me objekt shfuqizimin si antikushtetues të ligjit nr. 10159, datë 15.10.2009 “Për shfuqizimin e ligjit nr. 8340/1, datë 06.05.1998 “Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i Dekretit nr. 204, datë 05.06.1002 “Për pasurinë e sindikatave”. Po ashtu, këto subjekte kanë kërkuar pezullimin e zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi nga ky institucion. Ligji i kundërshtuar ka të bëjë me pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme, si: shtëpi pushimi, shtëpi kulture e parqe sportive, salla mbledhjes e veprimtarish, që pas vitit 1992 u lanë në pronësi të sindikatave, të cilat në bazë të ligjeve dhe akteve ligjore do të pjesëtoheshin në raport me numrin e anëtarëve të tyre. Nëse do të kishte mosmarrëveshje, ato do të zgjidheshin nga gjykatat. Në mesin e muajit tetor Kuvendi miratoi ligjin nr. 8 340/1, datë 06.05.1998 “Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i Dekretit nr. 204, datë, 05.06.1002 “Për pasurinë e sindikatave”, i cili detyron që mosmarrëveshjet e lindura ndërmjet sindikatave ose atyre dhe të tretëve të kryhen në favor të shtetit. Pikërisht ky përcaktim ligjor është kundërshtuar nga subjektet e sipërpërmendura në Gjykatën Kushtetuese. Secili subjekt ka kundërshtuar ligjin i pavarur nga të tjerët, por për shkak të objektit të njëjtë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur bashkimin e tyre.