Fryhen faturat
Faturat e energjisë elektrike të muajit dhjetor kanë goditur edhe më shumë klientët e kësaj korporate. Konsumatorët familjarë janë ankuar për faturat e shtrenjta të rrymës, pavarësisht se konsumin për energji nuk e kanë shtuar. Përveç kësaj, edhe gjendja ekonomike e tyre është vështirësuar me ngritjen e çmimeve të produkteve nevojtare për ushqim. Drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës arsyetohen se këto fatura kanë rezultuar si pasojë e shpenzimeve të mëdha që kanë bërë qytetarët.
Muhamet Halili, banor i Prishtinës, tregon se edhe pse çdo muaj i kanë shpenzimet e njëjta të energjisë, fatura e dhjetorit i ka ardhur me çmim shumë të lartë.
“Unë gjatë gjithë dimrit ngrohem me nxehje qendrore me dru dhe gjatë ditës askush nuk është në shtëpi, që do të thotë se punë me rrymë kemi vetëm në mbrëmje. Po ashtu çdo muaj në shtëpinë time i kemi shpenzimet e njëjta, por çuditërisht dhjetori ka ardhur me një faturë e cila mban një çmim enorm të lartë”, thotë Halili.
Ai tregon se shumë shpesh i ndodh që inkasanti të vijë, edhe pse nuk është askush në shtëpi.
“Ai vjen të përcjellë gjendjen, edhe pse ne nuk ndodhemi aty. Por, muajin tjetër kur të vjen fatura e shoh që ai ia ka fut sipas qejfit gjendjen e shpenzimit. Për këtë kam bërë ankesa herë pas here, por ato kurrë nuk më janë marrë parasysh”, tha Halili.
Për këtë problem, thotë se e tërë lagja e tij ankohet.
Edhe B. E nga Prishtina tregoi se muaji dhjetor i ka goditur me faturat me çmime tepër të larta.
“Më kanë thënë se për dhjetorin i kanë llogaritur dhjetë ditë më shumë në faturim. Kjo nuk di sa është e vërtetë, por në krahasim me atë që kam shpenzuar, është shumë e shtrenjtë fatura”, tha ai.
Në shtëpi shpjegon se ngrohet me lëndë djegëse dhe përdor poçe efecientë, të cilët kursejnë energjinë elektrike.
“Kjo gjë ndodh vetëm te ne në Kosovë, që faturat e dimrit përkundër moskonsumit të vijnë në këto vlera. Përkundër kësaj, unë në shtëpi kam edhe poçe efecientë për kursimin energjisë, por unë përkundër kësaj po paguaj edhe më shumë”, tregon ai. Sipas tij, me këto fatura, ata po paguajnë borxhin e banorëve nëpër enklava.
Viktor Buzhala, zëdhënësi i KEK’ut, thotë se për faturat e muajit dhjetor kanë ardhur si pasojë e shpenzimeve të mëdha dhe të pakontrolluara nga një kategori e konsumatorëve. “Energjia elektrike po përdoret më të madhe për ngrohje, përkundër apeleve të KEK-ut që për ngrohje të përdoren format alternative si lëndët djegëse, për të cilat vazhdimisht e kemi cekur se janë më të lira”, tha Buzhala.
Shndërrimi i energjisë elektrike në energji termike, sipas tij, është një proces i dhunshëm dhe i kushtueshëm për konsumatorë. Tarifat e energjisë elektrike në Kosovë, tregon zëdhënësi i KEK`ut, janë tarifa sociale, të cilat e stimulojnë kursimin e energjisë elektrike. Buzhala tregon se ato janë të ndara në tri kategori shpenzuese, pjesa e shpenzimit prej 0- 200 kilovat/orë është shumë e lirë, pjesa 200- 600 kilovat/orë është mesatare, ndërsa pjesa e shpenzimit mbi 600 kilovat/orë për konsumatorët e amvisërisë është shumë më e shtrenjtë.
“Konsumatorët që ngrohen me energji elektrike e kalojnë këtë limit vazhdimisht dhe si rrjedhojë e kësaj edhe faturat u vijnë më të larta. Por, KEK i siguron të gjithë konsumatorët se ato kanë ardhur nga konsumi vetanak i tyre”.
KEK’u pritet që gjatë muajve të ardhshëm të aplikojë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja të energjisë dhe ende nuk dihet se a do të shtrenjtohet rryma.