E Shtunë, 31 Tetor 2026

LV: Fillojnë parregullsitë në Mitrovicë

Nga Express më 23 janar 2011 në ora 13:35

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka tërhequr vërejtjen për parregullsitë në mbarëvajtjen e ri-votimit të sotëm në Mitrovicë, që sipas saj, filluan qysh në mëngjes.

“Kështu në orën 9:55, në shkollën “Migjeni”, në vendvotimin 1102b/07r, në Mitrovicë, vëzhguesi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Egzon Jashari kërcënohet nga komisioneri i PDK-së Metor Balia. Kryesuesi Salih Hetemi, nga LDD-ja nuk lejon që ky rast të shënohet në librin e votimeve. Në Qendrat e Votimit 1102X dhe 1102B, përkatësisht në shkollat fillore “Abdullah Shabani” dhe “Migjeni” nuk u lejuan gazetarët të hyjnë brenda, me arsyetim se është urdhër nga KKZ-ja. Ndërkaq në shkollën fillore “Hivzi Sylejmani”, në qendrën e votimit 1112b, numri i votuesve në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 ka qenë 2933, ndërsa në këto zgjedhje 3202. Në qendrën e votimit 1129b 02d, në shkollën “Sylejman Vokshi”, kryesuesi i vendvotimit Muhamet Veseli nga radhët e PDK-së, orienton votuesit “votoni IPKO”, që nënkupton numrin 49 – PDK. Në shkollën fillore “Abdullah Shabani”, në vendvotimin 1102x, në orën 10:23, në kabinën e votimit është gjetur një kartelë voto AKR. Që të jetë ironia edhe më e madhe TV Mitrovica nga ora 11:33 ka transmetuar fjalime dhe aktivitete të Hashim Thaçit, duke e thyer në këtë mënyrë heshtjen zgjedhore”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

“Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh brengosjen e saj se komisionerët e partive politike, të prirë nga ata të PDK-së edhe këtë rradhë po tentojnë të implementojnë të njëjtin skenar sikurse në votimet e 12 dhjetorit dhe atyre të 9 janarit”, thuhet më tej në komunikatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›