Fryhet lumi Mat, rrezikon jetën një ekskavatorist
KURBIN- Prurjet e furishme në lumin Mat, për shkak të rreshjeve të shiut të rëna gjatë natës së mbrëmshme, kanë rrezikuar një ekskavatorist i cili punonte në lumë duke nxjerrë inerte. Rreth orës 8 të mëngjesit,Tonin Ndoka 55- vjec nga Lezha ka vijuar punën e tij të përditshme në mesin e shtratit të lumit Mat pranë urës së Milotit në rrethin e Kurbinit,duke mos parë që shtrati i lumit po shtonte prurjet e tij. Krejt papritur ai është gjendur i rrethuar nga uji dhe pa asnjë mundësi për të dalë prej andej. Ai ka lajmëruar me anë të telefonit të afërmit e tij, të cilët janë alarmuar duke kërkuar ndihmën e forcave të policisë. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe shtabit të emergjencave civile të prefektures së Lezhës, por nuk kanë mundur ta nxjerrin 55 -vjecarin, i cili kishte mbetur i izoluar. Duke parë këtë situatë është kërkuar ndihmë në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila ka dërguar një helikopter që ka bërë të mundur evakuimin e tij.
Shpëtimi i eskavatoristit ka zgjatur vetëm pak minuta, duke i dhënë fund ankthit të familjarëve.
(e.n/News24/Balkanweb)